Ylli Rakipi ul në gjunjë “superdeputetin”, Koço Kokëdhima

 

Të enjten Ylli Rakipi kishte të ftuar në emisionin e tij “Të Paekspozuarit” një deputet ose më saktë “superdeputetin” Koço Kokëdhima. Ose edhe më saktë, “kryeministrin e jugut”, siç i pëlqen edhe vetë Koços ta quajnë.

Emisioni filloi me një dokumentar për jetën e Koços, i filmuar në mënyrë brilante nga regjisori i emisionit dhe shkruar me një skenar po aq fin. Por dukej se ky ishte “kulaçi” që Rakipi kishte shtruar si fillim për Kokëdhimën. Më pas, breshëritë e pyetjeve të drejtuesit të emisionit e tulatën Koçon, që duhet pranuar se nuk është se u shmanget kollaj edhe përballjeve të tilla. Bile Kokëdhima shquhet për sulmues i fortë në debate, por të enjten në mbrëmje e “palosi” Rakipi. Jo se gazetari Rakipi ishte në pozitën e njeriut që pyet pa teklif, por i dukej se pas fytyrës së Koços dilte ajo e Edi Ramës. Rama e Koço janë jo vetëm miq të vjetër, por superdeputeti është njeriu që ka ndikimin më të madh te kryeministri Rama. Edhe me shumë se Gramoz Ruçi apo se dhe vetë Linda. Ndaj Kokëdhima dukej përballë Rakipit, herë si “kryeministri i jugut” dhe shumë herë si kryeministri real i vendit. E ndaj, Ylli Rakipi ishte i pamëshirshëm gjatë intervistës. E masakroi me pyetje, që siç duket Koço nuk e kishte menduar.

Pati një moment hutimi superdeputeti. Këtë gjë e tregonte edhe kamera, e cila e fiksoi krejtësisht të hutuar, si në një planet të cilin sapo kishte zbritur, porse aftësia e tij e bënte të dukej sikur po mendohej, sepse nuk donte të thoshte ato që duhej të thoshte, ose ato që Rakipi i bënte e ku vetë pyetja ishte përgjigje.

E pyeti, dhe për çfarë nuk e pyeti Koçon, në disa raste Rakipi ishte edhe shpotitës me njeriun e Ramës.

Në fund, si për ta dërmuar si në një ndeshje boksi, ku është raundi i fundit dhe nuk ka kohë, Ylli Rakipi e bombardoi me pyetje seri që kamera e tregonte “kryeministrin e jugut” duke u lutur Zotit që të mbaronte emisioni e të ikte një orë e më parë nga vendi i ringut ku e kishin futur dhe drejtuesi i emisionit vetëm e godiste pa pushim.

E nxori nja dy herë nga ringu dhe i dha dy pyetje “çokollatë”, si për ta gjetur befas. E zuri ngërç dhe pyetjet nuk kishin nevojë më për përgjigje se disa ishin retorike, pra derisa arriti t'i thoshte se jeni qeveri mashtruese dhe hajdute. Dhe me qeverinë ishte edhe “superdeputeti”, ndaj e ndjente se ishin edhe për atë, ndonëse u mundua të buzëqeshte si i zënë në faj.

Si të enjten në mbrëmje asnjëherë nuk jemi mësuar ta shikojmë mikun e Edi Ramës. Dhe vetë do të ketë thënë udhës për në shtëpi “ça desha o Zot që shkova tek Ylli Rakipi!”.

SHKARKO APP