Yuri Kim: Shqipëria në të njëjtën tryezë me SHBA në KS të OKB! Çdo shqiptar duhet të jetë krenar

Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim, thotë se ky vit është domethënës duke qenë se festohet 100-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA-së. E ftuar në ”Opinion”, Kim foli edhe për Shqipërinë në Këshillin e Sigurimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Diplomatja e SHBA-së u shpreh se çdo shqiptar duhet të ndihet krenar kur sheh Shqipërinë në të njëjtën tryezë me SHBA duke folur për çështje të rëndësishëm së bashku me anëtarët e tjerë të Këshillit të Sigurimit.

Blendi Fevziu: Por le t’i kthehemi historisë së marrëdhënieve SHBA-Shqipëri dhe ekspertizës tuaj për politikën shqiptare. Së pari, ka qenë lajm i madh dhe vazhdon të jetë në media, vizita juaj tek partia e ish-Presidentit Ilir Meta. Cili ishte qëllimi i vizitës tuaj atje?

Ambasadorja Yuri Kim: Le të fillojmë me një pamje më të përgjithshme. Ky është një vit vërtet domethënës. Vitin e kaluar, siç e dini festuam 30-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Këtë vit kemi 100-vjetorin. U ndërprenë dy herë, në dy momente, kur Shtetet e Bashkuara u larguan një herë në vitin 1946, për një periudhë shumë të gjatë dhe herën e dytë.

Blendi Fevziu: Për shkak të regjimit komunist.

Ambasadorja Yuri Kim: Pikërisht.

Blendi Fevziu: Edhe përshkak të politikës sonë të keqe të Jashtme.

Ambasadorja Yuri Kim: Saktësisht. Dhe pastaj në vitin 1997, kur u larguam për një periudhë të shkurtër për shkak të kaosit dhe dhunës që u lejua të merrte kontrollin e vendit. Në atë situatë u kthyem shumë shpejt.

Blendi Fevziu: Por mendoj që ambasadorja ka qenë këtu në atë kohë, Ambasadorja Marisa Lino, nuk u largua ndonjëherë.

Ambasadorja Yuri Kim: U larguam. U larguam.

Blendi Fevziu: Okay.

Ambasadorja Yuri Kim: Pra, u kthyem. Tani jemi në një pikë të historisë ku Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara ulen bashkë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, siç e patë vetë. Më duhet të them, personalisht, kur pashë ish-shefin tim Tony Blinken, ulur në krah të koleges sime të re, Ministres së Jashtme Olta Xhaçka, në Këshillin e Sigurimit, duke folur mbi Rusinë dhe Ukrainën.

Blendi Fevziu: Përpara Ministrit të Jashtëm Lavrov.

Ambasadorja Yuri Kim: Pikërisht. Duke folur për Rusinë dhe Ukrainën përpara Rusisë, Kinës, Mbretërisë së Bashkuar, Francës dhe anëtarëve të tjerë të Këshillit të Sigurimit, u ndjeva krenare.

Blendi Fevziu: Është një moment i madh. Shqipëria do të jetë në krye të Këshillit të Sigurimit përsëri shtatorin tjetër.

Ambasadorja Kim: E saktë. Pra, është një moment historik, bashkë me faktin që në korrik, u shpallën negociatat formale për hyrjen e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ky është lajm i madh, historik. Është po aq i rëndësishëm sa kur Shqipëria filloi negociatat për anëtarësim në NATO.

SHKARKO APP