Yzeiri: Çomo dhe Bozo janë zonja të nderuara, por jo heroi im
Analisti Ilir Yzeiri ka komentuar faktin që shefja e infektivit, Najada Çomo dhe inxhinierja Luljeta Bozo janë ftuar nga kryeministri Edi Rama për të garuar në zgjedhjet e 25 prillit, madje janë të parat në listën e PS-së në qarkun Tiranë. Teksa tha se janë zonja të nderuara, aio shtoi se ato nuk janë heroina, ndaj në vendin e tyre mund të ishin dy zonja të tyre. Sipas Yzeirit, Rama përdori ndikimin e tyre në shoqëri.
”Sipas meje, dy zonjat e nderuara, që u përzgjodhën nga Rama, më shumë plotësuan dekorin folklorik të këtyre zgjedhjeve se sa ishin një gjetje e qëlluar. Nuk kam asgjë me to, por mënyra si u zgjodhën ato dhe pse u zgjodhën më bën pak mosbesues.
Marrim rastin e zonjës Bozo, autore e disa teksteve, anëtare e shoqatave të inxhinierëve. Zonja Bozo u shfaq ditët e tërmeteve duke qetësuar njerëzit se nuk ishte ndonjë hata e madhe se banesat të jepnin garanci dhe ajo si specialiste u përpoq që të sjellë një dozë optimizmi dhe qetësie.
Unë si Ilir, kam një pyetje, ku kanë qenë zonja Bozo dhe shumë të tjerë kur në këtë vend, sic e dimë u bënë masakra me ndërtime, duke mos respektuar rregullat e ndërtimit dhe rregulla të tjera që çuan një pjesë të konsiderueshme dhe tek pasojat e atij tërmeti, në të cilat disa banesa ishin ndërtuar jashtë kushteve gjeoteknike? Nuk duhet t’i paraqesim as zonjën Bozo, as Çomo si heronjtë tanë.
Ato janë personalitete të shquar në fushën e tyre, njerëz të mirë që kanë punuar në mënyrë të devotshme, por nuk janë heronjtë tanë. Heronj janë ata që më përfaqësojnë mua dhe dalin dhe përplasen me të keqen publikisht. Zonja Bozo në këtë rast është vlerësuar, është nderuar e respektuar për kontributin e saj si çdo zonjë tjetër e nderuar”,-tha ai në ”Top Channel”.