Zaptimi i plazheve dhe muzika, Çuçi paralajmëron bizneset
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi paralajmëroi me sanksione të gjithë bizneset që operojnë në zonat turistike dhe që shkelin ligjin.
Gjatë një takimi në Himarë me Task Forcën për mbarëvajtjen e sezonit turistik në këtë bashki, Çuçi kërkoi ndërhyrje të menjëhershme që fenomeni i zaptimit të plazheve të frenohet. Po kështu ai tha se duhen monitoruar në mënyrë rigoroze edhe subjektet që kanë marrë leje për shfrytëzimin e plazheve.
“Të gjithë ata që kanë dalë nga leja. Nuk ka as paralajmërim fare. I merret leja dhe nuk i jepet më. Ka filluar një fenomen i ri që nuk e kemi pasur më parë. Ngritja e kampingjeve në plazh. Është gjëja që në mënyrë kategorike duhet ndaluar. Për kampingje ka vende të caktuara sepse duhet të ketë disa kushte minimale”, tha ministri Çuçi.
Ndërkohë, ministri u ndal edhe tek një tjetër çështje që ka shqetësuar pushuesi në këtë zonë, siç është niveli i lartë i zhurmës. “Edhe gjatë ditës duhet bërë një lloj disiplinimi se është ndotje e tmerrshme akustike. Ka norma edhe gjatë ditës se sa duhet të jetë zhurma. Reagimi ndaj telefonatave të qytetarëve duhet të jetë i padiskutueshëm”, u shpreh Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Për sa i përket sigurisë ushqimore, ministri Çuçi kërkoi nga inspektorët e AKU-së që t’i përmbahen planeve të tyre të inspektimit, të mos abuzojnë me detyrën duke rënduar padrejtësisht operatorët e biznesit ushqimor, njëkohësisht të mos tolerojnë askënd që rrezikon shëndetin e konsumatorëve.