Zbardhen detajet e arrestimit të Vladimir Gjutës

 

Vladimir Gjuta është lënë në burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda.

Ai i tregoi gjykatës se gjatë kohës që ishte në kërkim ka qëndruar në Tiranë tek lokali, në Kosovë si dhe është rikthyer në Shqipëri nga Hani i Hotit, i pashqetësuar nga policia.

Ndërsa mohoi njohjen me kosovarin Blerim Thaçi, personi i cili po e dërgonte në Kukës me makinën e tij.

Gjuta i tha gjykatës, se ditën e arrestimit ka hipur rastësisht në makinën e Thaçit në Vorë, i cili kishte pranuar ta merrte në makinë deri në Kukës.

Ndërsa vet kosovari Thaçi, për të cilin gjykata caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” pa afat nuk ka pranuar të jap shpjegime para hetuesve.

Nga ana tjetër, gjykata la në burg pa afat edhe Indrit Ademin shoqëruesin e Vladimir Gjutës.

Para gjykatës Ademi pranoi njohjen me Gjutën, duke treguar se ditën e arrestimit ishte nisur nga lokali i familjes që ndodhet në rrugën e Elbasanit nga ku kishte marr dy çanta me rroba për t'i dërguar në Kukës, raporton ABC News.

Prokurorët thanë se rrugës Ademi i dërgonte mesazhe Gjutës, i cili vinte nga pas me kosovarin Blerim Thaçi, duke i treguar se rruga ishte e pastër.

Në dalje të tunelit, kanë ndërhyrë forcat RENEA duke arrestuar Ademin dhe nga telefoni i tij i kanë nisur përsëri një mesazh Gjutës, duke i thënë se rruga është e lirë.

Prokuroria tha se makina e Gjutës sapo ka hyrë brenda tunelit të Kalimashit, policia ka fikur dritat duke detyruar makinën të ndaloj me ndihmën e sinjalistikave.

Në këtë moment kanë ndërhyrë forcat RENEA duke arrestuar Gjutën dhe kosovarin Thaçi pa bërë rezistence.

SHKARKO APP