Zbardhet atentati me dy viktima në Lushnje, shpëton përsëri Laert Haxhiu

Policia e Shtetit ka njoftuar se ka zbardhur vrasjen e dy personave të ndodhur më 11.10.2017, ku mbetën të vrarë Zamir Latifit dhe Jurgen Hoxhës, ndërsa mbeti i plagosur Marius Xhepexhiu.

Lidhur me ngjarjen, policia njofton se Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë ka caktuar masën e sigurisë  “arrest me burg” për; Laert Haxhiu, 28 vjeç, banues në lagjen “Loni Dhamo”, Lushnjë, i dënuar më parë me 18 vite burgim, për veprat penale “Vrasja e mbetur në tentativë”, “Armëmbajtja pa leje” dhe “Prishja e qetësisë publike”, si edhe me 3 muaj burg, për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”;

Orgest Bilbili, 30 vjeç, banues në lagjen “18 Tetori”, Lushnjë, i dënuar më parë me 7 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale ”Trafik narkotikësh”;

Anterio Kaloshi, 29 vjeç, banues në lagjen “Loni Dhamo”, Lushnjë, për të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë ka caktuar më parë masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja me dhunë” e kryer në bashkëpunim.

Për shtetasin Orgest Bilibili u bë ekzekutimi i vendimit të datës 25.07.2020 në IEVP Tiranë, ndërsa për shtetasit Laert Haxhiu dhe Anterio Kaloshi janë ushtruar disa kontrolle ambientesh, por nuk është bërë e mundur gjetja dhe kapja e tyre. Këta shtetas janë shpallur në kërkim dhe vijon puna intensive për gjetjen dhe kapjen e tyre.

Gjithashtu, gjatë operacionit policor “Sarava”, nga ana e Policisë së Lushnjës, DVP Fier, FNSH Fier dhe forcat speciale RENEA janë ushtruar kontrolle në 13 banesa.

Nga kontrolli i këtyre banesave janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 1 armë gjahu teke, një sasi municioni luftarak, 30000 dollarë amerikan, disa doza me lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa, 4 automjete dhe 16 aparate celularë.

Në lidhje me sendet e paligjshme të gjetura dhe të sekuestruara gjatë kontrolleve u proceduan penalisht shtetasit L. Z., 36 vjeç, R. Z., 23 vjeç dhe H. T., 17 vjeç.

Në drejtimin  e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë vazhdojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje.

SHKARKO APP