Zbardhet dëshmia e 42-vjeçarit që dhunoi të atin dhe qëlloi me armë brenda banesës

Zbardhen detaje të reja nga ngjarja e rëndë e ndodhur në një familje në Vaqarr të Tiranës, ku djali dhunoi të atin, qëlloi me armë zjarri në banesë dhe kërcënoi me jetë policët.

“News24” raporton se autori i ngjarjes është 42-vjeçari R. L., ndërsa zbardh edhe dëshminë e tij para policëve, pasi u arrestua pas disa orësh ndjekje.

42-vjeçari mësohet të ketë thënë para policëve se ka pasur konflikte të shpesha me të atin.

“Me babain kam pasur shpesh here konflikte. Zihemi sa here qe une pi aklool. Dhe mbreme per pijen nisi sherri. Ai nuk do qe une te dal jashte. U nxeva dhe qellova me pistolete ne tavan per ta trembur”, ka thënë Lamja.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në fshatin Bulticë, Vaqarr. Policia u njoftua nga fqinjët se në banesën e familjes Lamja ka pasur të shtëna me armë zjarri.

Pas mbërritjes së policisë në vendngjarje, 42-vjeçari ka kërcënuar policinë se do të qëllojë në drejtim të tyre, nëse afrohen. Ai ka përfituar nga errësira dhe ka dalë nga dera e pasme e shtëpisë. Policia është vënë në ndjekje dhe e ka arrestuar brenda një banese të braktisur në periferi të fshatit. Ndërkohë, gjatë arrestimit, 42-vjeçari nuk ka bërë rezistencë.

SHKARKO APP