Zbardhet përplasja me armë zjarri në Shkodër. Dy durrsakë dhe një maqedonas u përplasën me shkodranin
Policia thotë se ka arritur të arrestojë tre persona për përplasjen e armatosur në qendër të Shkodrës, ku mbeti e plagosur një kalimtare. Ndërkohë është shpallur në kërkim një i katërt. Përplasja e armatosur ka ardhur mes tre të rinjve nga Durrësi dhe Maqedonia, të cilët kanë qëlluar mbi një shkodran. Ky e ka kthyer zjarrin. Mendohet se ata kanë pasur konflikte të mëparshme.
NJOFTIMI
Menjëherë pas ngjarjes së ndodhur në orët e mbrëmjes së datës 5 shkurt, në pedonalen e qytetit, ku si pasojë e shkëmbimit të zjarrit mes dy personave mbeti e plagosur një kalimtare, Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, nën drejtimin e Prokurorisë ngriti një grup të posaçëm hetimi, me qëllim zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Falë veprimeve të shpejta dhe profesionale të kryera nga grupi hetimor, si dhe në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative u bë i mundur identifikimi i autorëve të dyshuar të kësaj ngjarjeje.
Mbi bazën e këtyre informacioneve dhe provave të grumbulluara, nga strukturat e DVP Shkodër, në bashkëpunim DVP Tiranë dhe DVP Durrës, u finalizua operacioni policor “Reagimi, në kuadër të të cilit u bë e mundur kapja dhe arrestimi i në flagrancë i shtetasve:
A. R., 31 vjeç, banues në Durrës, E. B., 28 vjeç, banues në Durrës dhe R. Xh., 22 vjeç, banues në Shkup, Maqedoni.
Gjithashtu është shpallur në kërkim M. M., 26 vjeç, banues në fshatin Berdicë, Shkodër.
Nga hetimet e kryera në kohë rekord nga grupi hetimor i DVP Shkodër rezultoi se shtetasit A. R., E. B. dhe R. Xh. kanë qëlluar me armë zjarri mbrëmjen e datës 05.02.2020, rreth orës 22:40, në lagjen “Vasil Shanto”, në drejtim të shtetasit M. M., i cili iu është kundërpërgjigjur me armë zjarri dhe si pasojë ka mbetur e plagosur shtetasja L. J. (kalimtare).
Po nga hetimet dyshohet se këta shtetas kishin konflikte të hershme me njëri -tjetrin.
Në vendngjarje është gjetur dhe sekuestruar një automjet që i përket shtetasit M. M.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale “Vrasja ne? rrethana të tjera cilësuese”, “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Armëmbajtja pa leje”.