Zbardhet skema si funksiononte “banda e fajdeve” në Shkodër

Policia nuk po ruan vetëm shqiptarët nga pandemia e Covid-19 por nga ana tjetër po finalizon operacione të suksesshme që po çojnë në pranga njerëz të inkriminuar dhe pjesë e bandave të forta. Shkon në 13 numri i personave të arrestuar si pjesë e grupit që jepnin fajde në qytetin e Shkodër. Në pranga ka rënë Januz Alija, 23-vjeç ndaj të cilit rëndojnë 2 akuza për vepra penale; “Ushtrim pa licencë i veprimtarisë bankare, me pasoja të rënda, e kryer në bashkëpunim” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale”, ndërkohë vijojnë të jenë në kërkim 3 persona të tjerë.

“Në vijim të operacionit “Maranaj”, të zhvilluar më 14.03.2019, nga Drejtoria e Policisë Vendore Shkodër, nën drejtimin e Prokurorisë Shkodër dhe me mbështetjen e Drejtorisë për Krimet Ekonomike e Financiare, Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale, Drejtorisë së Forcës Lëvizëse Operacionale në Departamentin e Sigurisë Publike, pas një hetimi proaktiv disamujor, u siguruan prova për 19 të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, “Ushtrim aktiviteti financiar të palicencuar”, “Shpërdorim detyre”, “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve” dhe “Moskallëzim krimi”, në kuadër të të cilit u arrestuan 12 persona, si grup i strukturuar kriminal, dhe u shpallën ne kërkim 4 të tjerë, mesditën e djeshme ka rënë në prangat e Policisë një prej katër personave të shpallur në kërkim. Nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit J.A, 23 vjeç, banues në Shkodër. Ndalimi i tij u bë pasi Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër i ka caktuar masën e sigurisë ”Arrest në burg”, për veprat penale ”Ushtrim pa licencë i veprimtarisë bankare, me pasoja të rënda, e kryer në bashkëpunim” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale”, njofton policia

Skema e grupit

Prokuroria në atë kohë njoftoi se personat e përfshirë ishin avokatë, policë dhe ish-kancelari i Gjykatës së Shkodrës. Ky grup jepte para me fajde, por nëse klientët nuk mund t’i kthenin, ata u merrnin gjithçka kishin. Këta persona jepni hua me një përqindje që varionte nga 3-20% të shumës. Nëse kjo shumë nuk kthehej, personat e përfshirë në skemë sekuestronin makinat dhe pronat e personave që kishin marrë huanë. Në atë kohë u dyshua se aktiviteti i këtyre 12 personave, ishte shtrirë edhe në qytete të tjera po edhe në kryeqytet.

Në këtë ngjarje u përfshi edhe ish-prefekti i Shkodrës, Paulin Radovani së bashku me dy djemtë Elton dhe Robert Radovani. Ish-prefekti Radovani ishte personi që denoncoi i pari fenomenin. Denoncimi u krye nga vetë ish-prefekti, që vendosi në atë kohë të denoncojë dy djemtë e tij për mashtrim. Ai nuk mund të përballej më me borxhlinjtë që thuajse çdo ditë i kërkonin paratë dhe po e çonin drejt falimentimit.

Këto fajde të marra nga djemtë, bënë që ish-prefekti të nisë dhe të shesë disa prej pronave të tij. Disa i shiti brenda një kohe të shpejtë, ndërsa disa prona të tjera ia morën fajdexhinjtë duke qenë se nuk kishte shlyer tek ata borxhet që kishte. Disa të tjerëve nuk arriti që t’ia shlyente fajdet dhe kështu nisën që edhe t’i bënin presione. I ndodhur mes këtyre problemeve në një moment Paulin Radovani ka vendosur që të shkojë në prokurori, dhe të denoncojë disa prej emrave të cilëve ai vetë apo dy djemtë e tij i kishin marrë para hua. Pas denoncimit të tij, prokuroria dhe policia nisën hetimet ndërsa shumë prej bisedave u regjistruan nga vetë ish-prefekti Radovani, i cili ka patur një përgjues që ia kanë dhënë prokurorët kur ka diskutuar këto çështje me fajdexhinjtë.

Pas rreth dy muajsh erdhën edhe arrestimet në kuadër të operacionit “Maranaj” duke vënë në pranga shtetasit: Byrhan Alija, 61 vjeç, Edi Memçaj 33 vjeç, Adri Bala 22 vjeç, Artan Dragani ish kancelar ne gjykatën e Shkodrës 39 vjeç, Marjan Bregu 31 vjeç, Vinko Nikprelaj 37 vjeç, Eduart Fusha 38 vjeç, Elidon Qerimaj 41 vjeç, Pashko Vuksanelaj 54 vjeç, Lul Sylja 48 vjeç, Naim Ahmetaj 52 vjeç dhe Ilir Sokoli 38 vjeç, ish drejtor i patentave në Shkodër, 3 të tjerë u shpallën në kërkim ndërsa u pezulluan nga detyra Valbona Hajdari notere në Shkodër dhe Ergys Lohja, efektiv policie.

Bëhej fjalë për një shumë prej 8 milion euro nga Elton Radovani dhe 5 milion euro të tjera nga djali tjetër Roberti, para, që sipas Policisë u tha se janë përdorur në baste e bixhoze brenda dhe jashtë vendit. Dy djemtë e ish-prefektit të Shkodrës, një prej të cilëve edhe anëtar në këshillin bashkiak, kishin marrë hua shuma të mëdha parash tek persona të ndryshëm në Shkodër. Emrat e Elton dhe Robert Radovanit kanë qenë në krye të listës së të kërkuarve nga Interpoli Ndërkombëtar. Eltoni u arrestua në Paraguaj në fillim të muajit Tetor, pasi për të ishte lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar, për llogari të shtetit Shqiptar. Ndërkohë ditën e sotme në kuadër të këtij operacioni u arrestuar edhe personi i 13-të i akuzuar Januz Alija, si i përfshirë në të ashtuquajturën “banda e fajdeve”. /Abc News/

SHKARKO APP