Zbulohen 2 parcela me kanabis në Shkodër, 2 kultivuesit largohen në pyje
Policia e Shkodrës ka zhvilluar dy operacione, të koduar “Vilu” dhe “Obot”, në kuadër të të cilëve u goditën dy raste të kultivimit të bimëve narkotike.
Gjatë operacioneve, janë shpallur në kërkim 2 autorët e veprimtarive kriminale, të cilët, për shkak të terrenit të pyllëzuar, kanë mundur të largohen nga vendet ku kultivonin bimët narkotike.
Si rrjedhojë e kontrolleve me dronë në vendin e quajtur “Vilu”, Velipojë, në një sipërfaqe toke në terren të pyllëzuar, janë gjetur të kultivuara bimë narkotike cannabis sativa, të cilat u asgjësuan me anë të djegies.
Në vijim të veprimeve hetimore u bë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar të kësaj veprimtarie kriminale, shtetasit R. P., 38 vjeç, banues në fshatin Pulaj-Plazh Velipojë, Shkodër, i cili u shpall në kërkim dhe punohet për kapjen e tij.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Obot”, në fshatin Obot, në vendin e quajtur “Zalli Bunës”, u gjetën të kultivuara bimë narkotike të llojit cannabis sativa, të cilat u asgjësuan me anë të djegies.
Në vijim të veprimeve hetimore u bë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar të kësaj veprimtarie kriminale, shtetasit H. Z., 55 vjeç, banues në fshatin Oblikë, Shkodër, i cili u shpall në kërkim dhe punohet për kapjen e tij.
Vijon puna puna për dokumentimin e plotë të këtyre 2 rasteve, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë.