Zbulohen 4 raste të reja, pas fasonerive edhe burgjet kthehen në vatër infektimi me Covid-19
Pas fasonerive edhe burgu “313” në kryeqytet është kthyer në një vatër e infektimit me Covid-19.
Në daljen e përditshme, Genta Qirjako nga ISHP njoftoi se gjatë 24 orëve të fundit janë identifikuar edhe 4 raste në Tiranë, që lidhen me vatrën në institucionin e vuajtjes së dënimit, duke e çuar numrin e të paraburgosurve të infektuar në 18.
Që prej mbrëmjes së të enjtes Drejtoria e Burgjeve ka transferuar nga paraburgimi “313” të gjithë të infektuarit për një trajtim më të specializuar në këtë institucion.
Ndërkohë u janë marrë tampone edhe për të paraburgosur të tjerë të cilët dyshohet se kanë pasur kontakte më personat e infektuar.
Deri tani nga ISHP nuk është bërë me dije se si ka qenë historiku i infektimeve ne burgje ku vetëm pak kohë me parë rezultoi i infektuar edhe një efektiv policie.
Rasti i parë më Covid u konstatuar 3 ditë më parë në burgun “313” ku rezultoi pozitiv një shtetas italian.
Nga ana tjetër, gjatë kësaj periudhe në gjykatën penale, por edhe gjykatën e posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ka pasur një lumë kërkesash nga të paraburgosurit që kanë pretenduar se janë me Covid-19 dhe duhet të lirohen me masa të tjera sigurie.