Zbulohen dhe asgjësohen 17 parcela me 2762 bimë narkotike

Policia e Vlorës zbuloi dhe asgjësoi 17 parcela, ku ishin kultivuar 2762 bimë narkotike të llojit kanabis sativa.
 
 Burime zyrtare të policisë lokale bënë të ditur për ATSH-në se, bimët narkotike me lartësi deri në 130 cm, u zbuluan gjatë një aksioni antikanabis në fshatin Dushkarak, 20 km në lindje të qytetit.
 
Sipas policisë, 17 parcelat që ishin hapur posaçërisht për kultivimin e bimëve narkotike, ndodheshin në largësi nga fshati dhe në zona të thyera e të fshehura.
 U bë asgjësimi i bimëve narkotike përmes djegies, ndërkohë që po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
 
 Ky është aksioni më i madh antikanabis i policisë së Vlorës, gjatë këtyre muajve.
 
 Ai pason atë të dy ditëve më parë në fshatrat Gorisht, Llakatund e Lapardha, ku u asgjësuan 917 bimë kanabisi.
 Gjatë dy muajve të fundit, policia lokale ka asgjësuar më shumë se 27 mijë bimë narkotike, ndërkohë që ka kapur, apo ka identifikuar 14 persona që kanë lidhje me to.

SHKARKO APP