Zbulohet skenari, banka në Tiranë do grabitej nga tunelet e nëndheshme
Përmes tuneleve të nëndheshme, ishte planifikuar grabitja e një banke të nivelit të dytë në Tiranë. Autorët janë zbuluar teksa po kryenin gërmime në bulevardin “Zogu i Parë”.
Autorët kishin planifikuar 3 muaj më parë që të grabisin një bankë të nivelit të dytë, duke shfrytëzuar hyrjen e këtij tuneli, që ndodhet poshtë korsisë së biçikletave në bulevardin tek Ministria e Drejtësisë. Për të zbritur në tunel, ata kanë përdorur këtë shkallë druri, që u mor nga policia si provë materiale.
Banka që do grabitej ndodhet rreth 290 metër nga kryqëzimi i Ministrisë së Drejtësisë, ku ndodhet hyrja tek kanalet e kullimit. Autorët sipas policisë ishin veshur me jelekët të punonjësve të mirëmbajtjes në mënyrë që të kamufloheshin për të lehtësuar punën e tyre për të hyrë në kanalet e ujërave të zeza pa rënë në sy dhe më pas për të gërmuar me qëllim depërtimin në ambientet e brendshme të bankës.
Gërmimet janë kryer me matrapik, ndërsa puna kryhej gjatë ditës për shkak të zhurmave që janë në rrugë nga qarkullimi i mjeteve. Policia shprehet se po vijojnë hetimet për veprën penale të vjedhjes së bankave dhe arkave të kursimit e kryer në bashkëpunim.