Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë flet për Zërin e Amerikës: Nxorëm 117 mijë afganë nga Kabuli,

Mes kritikave të shumta për evakuimin kaotik nga Afganistani, Presidenti Joe Biden iu drejtua amerikanëve të martën dhe mbrojti mënyrën se si e kishte mbyllur luftën më të gjatë të Amerikës. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Patsy Widakuswara njofton nga Shtëpia e Bardhë.

Talebanët festuan në rrugët e Kabulit, pas tërheqjes së plotë të ushtrisë amerikane nga Afganistani dhe largimit të avionëve të fundit amerikanë.

Të martën, Komandanti i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara deklaroi fundin e luftës më të gjatë të Amerikës.

“Unë nuk do ta zgjasja këtë luftë përgjithmonë dhe nuk do të zgjasja pa fund tërheqjen”, tha ai.

Presidenti Biden përsëriti argumentat për përfundimin e luftës që zgjati 20 vjet me katër presidentë amerikanë.

“Kishim përballë një vendim të thjeshtë: Ose të respektonim angazhimin e administratës së kaluar dhe të largoheshim nga Afganistani, ose të qëndronim dhe të dërgonim dhjetra mijëra trupa të tjera në luftë. Zgjedhja ishte të iknim ose përshkallëzonim luftën”, tha Presidenti Biden.

Sulmi i javës së kaluar nga ISIS-K, një degë e grupit ekstremist që vepron në Azinë Qendrore dhe Jugore, që mori jetët e 13 ushtarëve amerikanë dhe mbi 150 afganëve, shkaktoi edhe më shumë kritika për tërheqjen.

Por disa analistë thonë se zoti Biden kishte të drejtë ta përfundonte misionin tani.

“Mendoj se tërheqja do të duket si tërheqja nga Vietnami: në fillim do të duket e gabuar; por në këndvështrimin afatgjatë i hapi rrugën ndryshimit të përparësive strategjike dhe politikës së jashtme, investimit në ekonominë e vendit në vend të ekonomisë jashtë vendit”, thotë Charles Kupchan, i Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë.

Tërheqja u shoqërua edhe me skena kaotike të afganëve që të frikësuar nga Talebanët, nxituan në aeroport me shpresën për t’u evakuuar. Zoti Biden e mbrojti operacionin.

“Asnjë vend nuk ka realizuar ndonjëherë një operacion të tillë në histori. Vetëm Shtetet e Bashkuara kishin aftësinë dhe vullnetin ta bënin një gjë të tillë dhe ne e bëmë këtë sot. Suksesi i jashtëzakonshëm i këtij misioni u arrit falë aftësive, trimërisë dhe kurajos së jashtëzakonshme të ushtrisë, diplomatëve dhe zbulimit të Shteteve të Bashkuara”, tha ai.

Administrata premtoi se do t’i nxirrte nga vendi rreth 200 shtetasit amerikanë që janë ende atje. Por kritikët thonë se ndoshta mijëra afganë që ndihmuan amerikanët gjatë luftës, mbetën në vend dhe tani jetojnë me frikën e hakmarrjes së Talebanëve.

“Politikat për përparësitë e evakuimit nuk kanë qenë të qarta. Një herë Departamenti i Shtetit u thotë organizatave humanitare dhe individëve që të sjellin autobusë me njerëz, ose u bëjnë thirrje disa personave të caktuar të shkojnë. Pastaj thuhet se vetëm ata me pasaporta amerikane dhe karta të gjelbra mund të kalojnë”, thotë Mark Jacobson, ish zëvendës përfaqësues i NATO-s në Afganistan.

Duke iu përgjigjur një pyetje të Zërit të Amerikës, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki i mohoi këto zëra.

“Nuk mund ta konfirmoj këtë që thoni. Mund t’ju them se rreth 117,000 vetë, shumica Afganë, njerëz që nuk janë shtetas amerikanë, u evakuuan. Është numri më i madh i evakuuar ndonjëherë në historinë amerikane”, tha ajo.

Me përfundimin e luftës në Afganistan, zoti Biden u zotua se do të ndiqte një politikë të jashtme përmes prizmit të interesave amerikane dhe garantimit të sigurisë për amerikanët./VOA

SHKARKO APP