Zëri i Amerikës: BE ngre tonet ndaj AstraZenecas, i kërkon të zbatojë kontratën
Udhëheqësit e BE-së shprehën zhgënjimin të enjten rreth një mungese masive në furnizimet të vaksinave nga ana e kompanisë AstraZeneca bazuar në detyrime kontraktuale. Ngritja e toneve vjen ndërsa një valë e tretë e infeksionesh po rritet në të gjithë Evropën.
Me programet e vaksinimit që po mbeten shumë prapa atyre të Britanisë dhe Shteteve të Bashkuara, krahu ekzekutiv i bllokut paralajmëroi se eksportet e vaksinave nga kompania britaniko-suedeze do të bllokohen derisa ajo të dorëzojë dozat që i ka premtuar BE-së.
“Ne duhet dhe duam t’u shpjegojmë qytetarëve tanë evropianë se ata do të marrin pjesën që u takon”, tha Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen në një konferencë shtypi pas një samiti virtual mes udhëheqësve të Bashkimit Evropian.
“Kompania duhet të kapë ritmin, të respektojë kontratën që ka me vendet anëtare evropiane, përpara se të të angazhohet sërish në eksportimin e vaksinave”, tha ajo.
Nga 300 milionë doza që duhet t’i dorëzohen vendeve të BE-së deri në fund të qershorit, Astrazeneca synon të japë vetëm 100 milionë.
Që nga 23 marsi, Britania ka injektuar rreth 46 të doza për çdo 100 persona, krahasuar me një nivel prej rreth nën 14 dozash për 100 persona në vendet e bllokut, sipas shifrave të përpiluara nga faqja e internetit “Bota jonë në të dhëna”.
Këtë javë, Komisioni Evropian zbuloi planet për të forcuar mbikëqyrjen e eksporteve të vaksinave. Kjo do të lejojë hapësirë më të madhe për të bllokuar dërgesat në vende me norma më të larta vaksinimi.
BE-ja është e ndarë në lidhje me atë nëse duhet të mbajë një qëndrim më të ashpër për eksportet e vaksinave nga kompanitë që nuk përmbushin zotimet kontraktuale. Presidenti francez Emmanuel Macron e bëri të qartë se ai e mbështet plotësisht një qasje të tillë.
“”Unë mbështes faktin që ne duhet të bllokojmë të gjitha eksportet për sa kohë që disa kompani farmaceutike nuk respektojnë angazhimet e tyre me evropianët”, tha ai gjatë një konference për shtyp pas takimit të udhëheqësve evropianë.