Zëri i Amerikës: Kushtetuesja rrëzon pretendimet e Belerit për vendimet mbi arrestin e tij
Në Tiranë, Gjykata Kushtetuese rrëzoi sot pretendimet e kryetarit të zgjedhur të bashkisë së Himarës, Alfred Beleri për t’i shpallur si antikushtetuese vendimet e tre gjykatave, që konfirmonin arrestin e tij me burg në dyshimet për korrupsion aktiv në zgjedhje.
Në kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese, Beleri pretendon se Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Apeli i Posaçëm dhe Gjykata e Lartë kanë zhvilluar një proces të parregullt ligjor, duke i cënuar të drejtën për t’u zgjedhur dhe për t’u betuar si kryebashkiak i Himarës.
Gjykata Kushtetuese vendosi rrëzimin e kërkesës të zotit Beleri, duke argumentuar se nuk gjeti cënim të së drejtës së tij për t’u zgjedhur. Gjykata theksoi po ashtu se në rastin e tij nuk gjeti cënim të prezumimit të pafajësisë, ndërsa vlerësoi, që masa “Arrest në burg”, e vendosur nga gjykatat, nuk duket jo-proporcionale në kontekstin e rrethanave të çështjes.
Zoti Beleri, u arrestua dy ditë pëpara zgjedhjeve vendore të 14 majit të vitit të kaluar, nën dyshimet se kishte ofruar para në këmbim të votave në favor të tij. Në fillim të marsit Gjykata e Posaçme e dënoi atë me dy vjet burg.
Zoti Beleri, përfaqësues i pakicave greke në Shqipëri, ka pretenduar gjatë gjithë kohës se arrestimi por dhe vendimi i dënimit të tij, ishin të motivuar politikisht. Rasti i tij, ka acaruar dukshëm marrëdhëniet mes Tiranës dhe Athinës. Greqia ka përdorur të drejtën e saj të vetos për të penguar avancimin në procesin e anëtarësimit, duke bllokuar nisjen e bisedimeve mes Komisionit Europian dhe Shqipërisë për grup-kapitujt e parë. /VOA/