Zëri i Amerikës: Pse kërkohet ”arrest në shtëpi” për Sali Berishën!
Në Shqipëri, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar, ju drejtua sot parlamentit për të marrë autorizimin e tij për arrestimin e ish kryeministrit Sali Berisha. Kërkesa pason refuzimin e ish kryeministrit për të zbatuar urdhërin e gjykatës së Posaçme, i cili e ndalon atë të lëviz jashtë vendit dhe kërkonte paraqitjen e tij dy herë në muaj (të premten e parë dhe të tretë) pranë një oficeri të policisë gjyqësore.
Kodi i Procedurës Penale parashikon që kur nuk zbatohet një mase sigurie “Gjykata mund të vendosë një masë tjetër më të rëndë”, që në këtë rast të tillë, do të ishte do të ishte “arresti në shtëpi”, për të cilin autorizimi i parlamentit është i detyrueshëm.
Në shkresën dërguar parlamentit, drejtuesi i Prokurorisë së posaçme Altin Dumani, nuk e ka përcaktuar masën e kërkuar, duke four për zëvendësimin e masës së mëparshme me “arrest me burg/arrest shtëpie”.
Vendimin e gjykatës për “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalim të lëvizjes jashtë vendit”, zoti Berisha e kishte cilësuar si një “shkelje flagrante të Kushtetutës” e për këtë arsye ai disa herë e bëri të qartë se nuk kishte ndër mend ta zbatonte. Edhe sot ai u shpreh se “në atë rast unë mbrojta Kushtetutën dhe jo veten time”. Ndërsa për kërkesën e sotme të Prokurorisë së Posaçme drejtuar parlamentit, ai u shpreh qartë se “çfarëdo vendimi, pas autorizimit të parlamentit, do ta respektoj pa asnjë diskutim”.
Ndaj zoti Berisha nuk është ngritur akuzë. Ai është në hetim në dyshmet për “korrupsion” në rastin i procedurave të privatimit të ish klubit sportiv Partizani, ku dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, ishte një ndër pronarët e truallit mbi të cilin më pas u ngrit një komplek pallatesh. Zoti Malltezi fillimisht u arrestua, por më pas u la me arrest shtëpie. Ish kryeministri ka hedhur poshtë pretendimet e prokurorisë, ndërsa e ka cilësuar, dhëndrin e tij si një “të burgosur politik”.