“Zëri i Amerikës”: Rama vendos ministra jo politikë në postet kyçe të qeverisë

“Zëri i Amerikës”-

Në Shqipëri, kryeministri Edi Rama njoftoi sot ndryshime të reja në qeverinë e tij, në më pak se një vit nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ndërhyrjet e befta prekën tre institucione kyçe për një qeveri, Financat, Mbrojtjen dhe Ministrinë e Brendshme. Ajo që bie në sy është se emrat e rinj, janë të gjithë profile jo politike, por drejtues të institucioneve të ndryshme.

Ministria e Financave ndryshon drejtimin në më pak se një vit. Ishte shtatori i vitit të kaluar kur në krye të saj u emërua Ervin Mete. Ndërsa tani, ai largohet nga kabineti, për t’i hapur vendin zotit Petrit Malaj, aktualisht drejtues i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN). Një tjetër emër teknik që përfshihet në qeveri, është ai i Pirro Vengut, drejtues aktual i Portit të Durrësit. Të dy ministrat e rinj vijnë nga institucione që janë në varësi të Zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku.

Swiss Digital Desktop Reklama

Pirro Vengu zëvendëson në krye të Mbrojtjes, zotin Niko Peleshi, të cilit i besohet drejtimi i grupit parlamentar socialist. Surprizë dhe largimi nga ministria e Brendshme e Taulant Ballës, i emëruar në këtë post në korrik të vitit të kaluar. Zoti Balla megjithatë do të mbetet në kabinet si ministër Shteti për Marrëdhëniet me Parlamentin, duke zëvendësuar Elisa Spiropalin. Kjo e fundit u katapultua në postin e numrit 2 të shtetit, atë të kryetares së parlamentit, pas dorëheqjes së Lindita Nikollës, dy ditë më parë, për arsye personale, siç deklaroi ajo vetë.

Swiss Digital Mobile Reklama

Ndryshimet në qeveri, zoti Rama i njoftoi në fund të një fjale të tij të gjatë, në Kongresin e Partisë socialiste, i thirrur për të votuar Asamblenë e re Kombëtare të kësaj force politike. Siç ka ndodhur dhe në rastet e mëparshme, kryeministri nuk dha asnjë shpjegim apo motiv për ndryshimet në kabinetin e tij, ndonëse ato prekin, postet thuajse më me peshë.

Gjatë vitit të kaluar zoti Rama kishte ndërhyrë për ndryshime të tjera në qeverinë e tij, ndërsa në vitin 2022 ai kishte larguar nga detyra Zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj, ndaj të cilit prej verës së shkuar ka një urdhër arresti ndërkombëtar./VOA/

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?