“Zëri i Amerikës”: Rekord viktimash nga Covid-19 në Shqipëri, situatë kritike në spitale

Në Shqipëri, 24 orët e fundit shënuan një tjetër rekord viktimash nga COVID 19. Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur të shtunën, se 6 persona kishin humbur jetën, mes tyre dhe pacientë të cilët nuk kishin patur më parë sëmundje të tjera. Bëhet fjalë për një 56 vjeçar nga Kukësi, dhe një 69 vjeçar nga Tirana.

Katër personat e tjerë që humbën jetën ishin një 43 vjeçare dhe një 79 vjeçar nga Tirana, si dhe një 65 vjeçar nga Kruja, të tre të intubuar prej disa ditësh në spitalin Infektiv. Ndërsa një 62 vjeçar nga Pogradeci, po me sëmundje bashkëshoqëruese vdiq në spitalin Shefqet Ndroqi. Deri më tani numri i viktimave ka shkuar në 134 persona, nga të cilët 99 në 45 ditët e fundit.

Në të dy spitalet, ku trajtohen të sëmurët e prekur nga Koronavirusi, situata mbetet kritike. Në total janë 115 pacientë, nga të cilët 21 janë në terapi intensive dhe 9 pacientë janë të intubuar.

Rastet e reja shënuan një ulje, duke zbritur në 67 persona të infektuar, por kjo shifër duket të jetë e lidhur më së shumti me rënien e testimeve, 304 të tilla në 24 orët e fundit, me një pozitivitet në nivelet e 22 përqind. Shpërndarja gjeografike e rasteve të reja është shtrirë në Tiranë (56 raste), në Durrës 8 raste, në Elbasan (2 raste), dhe në Sarandë (1 rast)

Që nga filimi i pandemisë, numri i të prekurve ka shkuar në 4637 raste. Krahasuar më 3 muajt e parë, në periudhën pas 9 qershorit, të infektuarit janë rritur me 200 përqind. Në të gjithë vendin janë aktualisht 1866 raste aktivë, nga të cilët më shumë se gjysma në kryeqytet./VOA

SHKARKO APP