Zëri i Amerikës: Rikthimi i kufizimeve në Shqipëri, i pashmangshëm

Zëri i Amerikës

Në Shqipëri autoritetet shëndetësore njoftuan sot rivendosjen e disa kufizimeve si masë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Duke filluar që nga ditë e mërkurë do të kufizohet lëvizja nga ora 22.00 deri në orën 06.00. Përgjatë këtij orari baret dhe restorantet do të duhet të qëndrojnë mbyllur. Komiteti Teknik i Ekspertëve, rekomandoi gjithashtu që për administratën publike puna të kryhet nga shtëpia. Këto masa do të jenë në fuqi për një periudhë 3 javore, ndërsa situata do të monitorohet në vijim. Rikthimi i kufizimeve u bë i pashmangshëm pasi, veçanërisht në dy javët e fundit, pati një rritje të ndjeshme të rasteve, vdekjeve dhe shtim të numrit të pacientëve që trajtohen në spital.

Komiteti teknik i ekspertëve njoftoi sot masat e reja kufizuese, të cilat siç shpjegoi edhe kryetarja e këtij Komiteti Mira Rakacolli, erdhën si pasojë e një rritje të ndjeshme të përhapjes së virusit “Gjatë kësaj periudhe është rritur transmetueshmëria e infeksionit, gjë e cila është reflektuar në vlerën e R në shifrën 1.3. Për pasojë është rritur dhe incidenca dyjavore 177.4 raste për 100 mijë banorë”tha zonja Rakacolli. Nga ana e saj drejtuesja e hetimit epidemiologjik, në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino shpjegoi se na bazë të incidencës dy javore, vendi është ndarë në tre zona, zona e kuqe ku përhapja është më e madhe dhe zonat protokolli dhe e verdhë me një situatë më pak të rënduar.

Zonja Bino njoftoi se është bërë gati udhëzimi për nisjen edhe të testeve të shpejta të cilat, siç shpjegoi ajo, do të përmirësojnë testimin dhe gjurmimin e rasteve. Spitali Covid 2, Shefqet Ndroqi, i mirënjohur si sanatoriumi, përjetonte edhe sot një situatë të tensionuar si në mjediset e jashtme ashtu edhe në ato të brendshme, ndonëse te porta një numër policësh dhe punonjësish të mjekësisë nuk lejonin të hynte kushdo.

Pandemia sa vjen edhe thellon përmasat e saj në Shqipëri, duke shënuar përditë numra përherë e më të rritur personash të vdekur dhe të infektuar me Covid-19. Në lagjet e kryeqytetit është shtuar përdorimi i maskave, por ende lokalet janë plot dhe fare pak po ndjehet aty rreziku i infektimit. Oborret e spitaleve janë plot me automjete të familjarëve të sëmurë, ndërkohë që pacientët më të fundit mbërrijnë në rresht me ambulanca si tek Sanatoriumi ashtu edhe tek Spitali Infektiv tek Nënë Tereza.

SHKARKO APP