“Zëri i Amerikës”: Shqipëri, reagime për turizmin në bregdetin jugor

Zhvillimet e turizmit në bregdetin jugor në Shqipëri po shoqërohen edhe këtë vit me reagime sidomos në rrjetet sociale. Rritja e çmimeve në disa shërbime turistike duket se ka ndikuar, sipas operatorëve, në disa zona, në uljen e frekuentimit të plazheve. Faktorët janë kompleksë, thonë sipërmarërsit në Ksamil, ndërkohë që në portin e Sarandës edhe këtë vit vihet re një rritje e ardhjes së vizitorvë nga ishulli grek i Korfuzit.

Qyteza e vogël e Ksamilit në jug të Shqipërisë ka qenë një nga epiqendrat e reagimeve të shumta lidhur me zhvillimet e turizmit këtë vit në bregdetin jugor nga Vlora në Sarandë.

Reagimet më të forta, sidomos në rrjetet sociale, vijnë për një rritje të çmimeve të shërbimeve turistike që nga hoteleritë deri tek plazhet që duket se ka ndikuar në uljen e frekuentimit krahasur me një vit më parë.

Përparim Ahmeti, një nga sipërmarësit e parë të hoteleve në Ksamil thotë se turizmi nisi që në prill dhe në maj me një prurje të lartë të vizitorëve.

“Në prill dhe në maj pati një prurje të lartë të turistëve dhe shumë biznese menduan se do të ishte një fluks i paparë dhe rritën çmimet jashtë kuotave që duheshin dhe shohim për momentin që korriku është jashtë pritshmërive. Flas në përgjithësi, pasi në biznesin tim unë kam rritje të turizmit krahasur me vitin e kaluar falë edhe investimeve që kam kryer së fundi me ristrukturimin e hoteleve”, thotë ai.

Ka një sërë faktorësh që kanë ndikuar në rritjen e çmimeve, thotë më tej zoti Ahmeti.

“Faktori kryesor në rritjen e çmimeve është rënia e euros në kuota të paparashikuara. Po kështu rritja e pagës së punonjësve. Një sanitare tek unë paguhet 1300 euro, nuk flas për kuzhinierin dhe pozicione të tjera që janë paga shumë më të larta. Këtu ka një kosto tjetër të personelit pasi bizneset punëtorët i marrin nga rrethet e tjera dhe detyrohet tu krijojnë kushte ushqimi dhe strehimi përgjatë gjithë sezonit. Një arsye tjetër është edhe rritja e çmimeve bazike për hotelet dhe restorantet nga furnizuesit e shumicës”.

Ndryshe nga vitet e mëparshme këtë vit turizmi po mbëhteten më pak nga prodhimi vendas si bujqësor, por sidomos blegtoral.

Produktet dhe nënproduktet e e qumështit mbulohen kryesisht nga importet, ndërkohë që renia e sektorit blegtoral shtë më e dukshme në shume zona në jug të Shqipërisë dhe tregu turistik nuk arrin të furnizohet me prodhimet tradicionale shqiptare, sic ndodhte më parë.

Zoti Ahmeti që është edhe anëtar i këshillit të bashkisë së Sarandës thotë se në paketën fiskale të këitj viti ka pasur rritje të tatimit për bizneset . Si përfaqësues i opozitës ai thotë se e ka kundërshtuar këtë rritje pasi bizneset sipas tij duhen mbështetur.

“Në paketën fiskale gati janë dyfishuar taksat dhe detyrimet e bashkisë. Në mënyrë të padrejtë mendoj se janë rritur dhe si opozitë e kemi kundërshtuar këtë vendim-marrje”, thotë zoti Ahmeti.

Opozita thotë më tej zoti Ahmeti ka vlerësuar një seri investimesh në qytezën e vogël të kryera këtë vit në infrastrukturë, por ende mbeten problem sipas tij furnizimi me energji elektrike dhe me ujë.

“Në jemi opozitë në këshillon bashkiak por e kemi vlerësuar maksimalisht ndërhyrjen që është bërë në Ksamil me investimet në vitin 2024. Është bërë një rrugë këmbësorësh shumë e mirë, janë shtruar të gjitha rrugët e brendshme. Por ka përsëri mangësi si ajo me problemet e rrjetit të energjisë elektrike, mangësi ka me furnizimin me ujë, probleme kanë plazhet që shteti duhet të ndërhyjë për t`i zgjidhur”.

Në plazhet e Ksamilit sipërmarrjet ofrojnë shërbime në një perimetër që duket se është mjaft i kufizuar në raport me ngarkesën e lartë të mbindërtimeve që Ksamili kë përjetuar dhe që vijojnë të shtohen dita ditës.

Rexhep Korbi thotë se prej 32 vitesh merret me turizëm duke ofruar shërbimet në një plazh që frekuentohet nga vizorë nga e gjithë bota. Sipas tij turizmi është në kuota optimale këtë vit.

“Turizmi është në rritje, aspak në rënie .Edhe sivjet që predikohet që s’ka turizëm unë jam në të kundërt asaj që thuhet. Turizmi është në kuotat optimale në Ksamil”.

Zoti Korbi flet për cilësitë e turzmit dhe sfidat, në këndvështrimin e tij.

“Ujë është shumë i pastër, rendi dhe siguria është shumë mirë dhe sivjet ka një cilësi më të madhe dhe janë shtuar edhe forcat e sigurisë. Edhe rojet kufitare i kanë sistemuar mjetet e vogla të lundrimit. Problem mbeten motorët e ujit që janë pak afër dhe shkaktojnë zhurmë të madhe dhe na janë ankuar turistët. Por sivjet është pak më mirë se vitet e tjera. Vjet ishte një probem me trafikun mjeteve në rrugën nga Saranda në Ksamil që vijon edhe këtë vit dhe pengon ardhjen normale të pushuesve, pasi radha e aotomjetve në pjesë të ditës bëhet e gjatë”

Një nga kërkesat e sipërmarrësit për autoritetet është rritja e perimetrit të sigurisë për mjetet e lundrimit.

“Mjetet e lundrimit të shpejtësisë së lartë duhet të jenë në një perimetër më të largët se ky që është tani, të paktën edhe 100 metër dhe ta zhvendosin aktivitetin në det të hapur. Kjo sepse Ksamili duke pasur ishujt afër, shumë pushues notojnë drejt tyre dhe mjetet e lundrimit përbëjnë kërcënim për jetën e tyre”.

Zoti Korbi flet edhe për nevojën e shtimit të furnizimit me ujë pasi shumica e sipërmarrjeve në plazhe e blejnë çdo ditë ujin që përdoret për dushet, apo për nevojat e shërbimeve të tjera.

“Duhet të ketë më shumë ujë. Deri tani furnizimi me ujë është katër orë në mëngjes dhe një orë e gjysëm pasdite. Ne e blejmë ujin çdo ditë për nevojat e shërbimeve në plazh. Problem është edhe furnizmi me energji, janë bërë disa përmirësime me vendosje të kabinave të reja dhe është ndryshuar disi situata”.

Ndërkohë të dhënat e portit të Sarandës flasin se gjashtë muajt e parë të këtij viti prurjet turistike nga ishulli i Korfuzit vlersohen rreth 23 % më të larta se e njëjta periudhë e vitit të shkuar që konsiderohet si viti me i mirë turistik i Shqipërisë në dekadën e fundit.

Hatixhe Ismaili, specialiste në portin e Sarandës thotë se rreth 166 mijë pasagjerë u përpunuan nga janri në qershor nga rreth 135 mijë që ishte numri i pasagjerëve për të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Zonja Ismaili thotë se një porti synon një projekt të ri për terminalin e udhëtarëve që duhet mbështetur me financime për shkak të rritjes vit pas viti të numrit të vizitorëve.

Rritja e numrit të pasagjerëve me tragetet turisitke ka çuar në domosdoshmërinë e zgjerimit të ambjenteve të përpunimit të pasagjerëve sepse të gjitha shërbimet tani bëhen në një terminal që u projektua 15 vite më parë.

Diskutimet dhe debatet si për rritjen e çmimeve edhe për numrin e vizitorëve pritet të jenë pjesë e zhviimit të sektorit turistik që sipas analistëve të turizmit është ende i pamaturuar në shumë zona në Shqipëri dhe ka nevojë sidomos për investime nga shteti në mjetet bazë si infrastrukturë, transport, ujë dhe energji./VOA/

SHKARKO APP