“Zero Kulla”-KKT miraton lejen për Teatrin e Ri, PD: Presion mbi vendimin e Gjykatës Kushtetuese

Në kohën kur Gjykata Kushtetuese ende nuk e ka shpallur verdiktin e saj për çështjen e Teatrit Kombëtar, ku kërkues është presidenti Ilir Meta, ishte kryebashkiaku Erjon Veliaj që njoftoi paraditen e sotme miratimin e lejes së ndërtimit të teatrit të ri.

Qytetari i parë i Tiranës e bëri lajmin publik në rrjetin e tij social, ndërsa garantoi se në territorin e teatrit nuk do të ndërtohen kulla.

“Zero kulla në territorin e Teatrit të ri Kombëtar. KKT e Qeverisë Shqiptare sapo miratoi lejen për Teatrin e Ri Kombëtar të Bashkia Tiranë nga Bjarke Ingels”, njoftoi Veliaj.

Ai sqaron më tej se: “Teatri i ri Kombëtar do të ketë një auditorium me 653 vende, një sallë BLACK BOX i vogël 150 vende, një BLACK BOX të madh me 350 vende, një AUDITORIUM në taracë 500 vende si dhe 2 kate parkim”.

Reagimi i PD-së

Partia Demokratike ka dënuar vendimin e Këshillit Kombëtar të Territorit për të miratuar lejen për ngritjen e Teatrit  të Ri.

Deputetja e zgjedhur e Partisë Demokratike në Qarkun e Tiranës, Albana Vokshi thotë se vendimi  i KKT-së është presion ndaj Gjykatës Kushtetuese.

Për deputeten, akti i djeshëm është arbitrar dhe dëshmon se masakra zgjedhore e 25 prillit nuk zgjidhi asgjë për shqiptarët.

Ndërkohë, në emër të PD-së, Albana Vokshi garantoi se deri në fund të betejës, PD-ja do të jetë në krah të qytetarëve shqiptarë për të rikthyer legjitimitetin e demokracinë në vend.

“Në fillim thanë se Teatri duhej bërë me PPP dhe kulla, sepse nuk kishin para. Mashtruan! Sot thonë se Teatri do bëhet duke shtuar borxhin publik, pa kulla. Mashtrojnë! Pasi shembën barbarisht dhe në shkelje totale të çdo norme e ligji godinën historike, sot po shembin shtetin e së drejtës dhe po ushtrojnë presion mbi vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese, duke vendosur  fillimin e punimeve për të ashtuquajturin Teatri i Ri. Veliaj thotë 0 Kulla, por nxitimi për të filluar punimet zbulon qartë që interesi i regjimit Rama-Doshi nuk është arti, as kultura, as Teatri, por vetëm fitimet marramendëse nga projekti korruptiv i kullave që do të shërbejnë si lavatriçe e parave të pista të krimit e korrupsionit. Vendimi i sotëm (i djeshëm) është një tjetër akt i arbitraritetit, dhunimit të ligjit,  gjykatave dhe interesit publik, që dëshmon se masakra zgjedhore e 25 Prillit nuk zgjidhi asgjë për shqiptarët. PD do të jetë deri në fund në krah të betejës së Aleancës për Teatrin dhe qytetarëve shqiptarë për rikthimin e legjitimitetit dhe demokracisë në vend”, deklaroi në reagimin e saj deputetja e zgjedhur e PD-së, Albana Vokshi.

Kauza e Teatrit

Godina e Teatrit Kombëtar u shkatërrua gjatë një aksioni në orët e para të 17 majit 2020, ndonëse Shqipëria  ishte në karantinë për shkak të covidit, si dhe në kohën kur një grup artistësh dhe aktivistësh nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, kishin më shumë se dy vite që protestonin në mbrojtje të godinës.

Çështja e Teatrit u bë objekt gjykimi është në Gjykatën Kushtetuese, por pavarësisht se palët kanë më shumë se dy javë që kanë paraqitur argumentet e tyre, ende institucioni i drejtësisë, nuk e ka thënë fjalën e saj.

Ndërkohë, që qeveria shqiptare nga ana tjetër ka vijuar qetësisht procedurat për miratimin e lejes dhe ndërtimit të teatrit të ri, duke ia besuar projektit të arkitektit danez Bjarke Ingels.

Ky i fundit është akuzuar nga Partia Demokratike, për shkelje të ligjit në realizimin e projektit të Teatrit, por më vonë këto akuza u rrëzuan nga prokuroria.

SHKARKO APP