Zero tolerim për ata që shkelin perimentin e sigurisë në plazhe. Policia: Janë 25 të gjobitur
Garantimi i rendit dhe sigurisë gjatë sezonit turistik, një ndër prioritetet kryesore të punës së Policisë së Shtetit. Drejtuesit e Policisë së Shtetit vijojnë inspektimin e masave të ndërmarra nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, për mbarëvajtjen e sezonit turistik.
Drejtori i Departamentit për Kufirin dhe Migracionin Drejtues i Lartë Saimir Boshnjaku, bashkë me Shefin e Komisariatit të Policisë Sarandë Fadil Veli dhe Shefin e Komisariatit të Policisë Kufitare Sarandë Gerald Toska, kanë parë nga afër zbatimin e masave për garantimin e rendit dhe sigurisë në portin e Sarandën dhe në plazhin e Ksamilit.
Boshnjaku ka thekuar se Policia e Shtetit është mjaft e angazhuar dhe do të vijojë të jetë e tillë, gjatë gjithë sezonit turistik, me qëllim që qytetarët të pushojnë të qetë dhe të sigurtë.
”Jemi sot këtu, në portin e Sarandës, së bashku me 2 drejtuesit kryesorë të Komisariatit të Policisë Kufitare dhe të Komisariatit të Policisë Sarandë, për të menaxhuar dhe për të parë nga afër masat për sezonin turistik. Policia e Shtetit është shumë e angazhuar për mbarëvajtjen e këtij sezoni turistik, qoftë në det dhe në tokë. Nga pjesëtarët e të dy komisariateve ka patur dhe ka një angazhim maksimal për rend, siguri, për të ofruar një shërbim më të mirë ndaj qytetarëve dhe për të qenë një shembull shumë pozitiv në menaxhimin e këtij sezoni.
E gjithë kjo bëhet me kontributin e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke patur si synim kryesor ofrimin e sigurisë, qoftë në det dhe në tokë. Ne falenderojmë të gjithë qytetarët, për angazhimin, për mirëkuptimin dhe për problematikat që ata kanë ngritur pranë institucionit të Policisë së Shtetit, dhe do të qëndrojmë çdo ditë, së bashku me ta, për të ofruar këtë rend dhe këtë siguri”,-tha Saimir Boshnjaku.