Zgjatja e Vetting-ut në Drejtësi, ONM: Mbështesim nismën për të zgjatur mandatet
Nga: Zëri i Amerikës
Në Kuvendin e Shqipërisë nisi sot të shqyrtohet propozimi për të zgjatur mandatin e institucioneve të vettingut në sistemin gjyqësor gjatë një mbledhje e përbashkët e Këshillit për Legjislacionin dhe Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut.
Gjatë seancës dëgjmore, Kryetari i bordit të Misionit Ndërkombëtar të Monitorimit pranë Komisionit Europian, Maciej Popowski, deklaroi se reformimi i gjyqësorit është përpjekje shumë e madhe dhe e rëndësishme, një nga reformat më të mëdha që ka ndërmarrë Shqipëria për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian. “Shpresojmë që shumë shpejt do të ndodhë ky hap. Ne jemi të vetëdijshëm se kjo nuk është bërë thjesht për të qenë në BE, por është ndërmarrë për shqiptarët dhe mbarëvajtjen e jetës së tyre”,-tha zoti Popowski.
ONM mbështet nismën për amendimin e nenit përkatës në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë për të zgjatur afatin e detyrës së anëtarëve të komisionerëve publikë dhe të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit deri në 31 dhjetor 2024, theksoi ai.
“ONM vlerëson se zgjatja e mandatit të KPK-së ka rëndësi shumë të madhe për të patur një përfundim me sukses të procesit të vetingut si pjesë e reformës së sistemit gjyqësor në Shqipëri. Ky afat i ri do të lejojë përfundimin e gjithë çështjeve të parashtruara, duke patur parasysh edhe kapacitetet dhe strukturat funksionale, të cilat deri tani kanë arritur rezultate shumë të mira” – tha zoti Popowski.
Ai theksoi se puna e deritanishme nuk duhet të ndërpritet, për të rinusur nga fillimi, ndërkohë që vazhdon monitorimi nga ONM sipas kritereve të përcaktuara
“Numri i muajve të shtuar janë të mjaftueshëm për të përmbyllur çështjet e nisura gjithë procesin. Ky afat kohor plotëson nevojat dhe Komisioni Europian dhe ONM-ja janë të gatshëm të vazhdojnë mbështetjen”,-tha kreu i bordit të ONM-së, Popovvski.
Edhe Delegacioni i Bashkimit Europian ka mbështetur nismën për zgjatjen e mandatit të institucioneve, që kryejnë rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Shumica socialiste është shprehur në favor dhe ka nisur përgatitjet për ndryshime në Kushtetutë, të cilat kërkojnë dhe mirëkuptimin e opozitës. Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Komisionerëve publikë u mbaron mandati 5 vjeçar në qershor të vitit të ardhshëm.