”Zgjedhja e kryetarit në fillim, vendim logjik”, Preç Zogaj: Kërcënimet e militantëve janë të palejueshme

Preç Zogaj thotë se vendimi që u votua nga anëtarësia për nisjen e riorganizimit të PD-së duke zgjedhur fillimisht kryetarin e partisë, është logjik duke marrë parasysh se kjo forcë politike është pa kryetar prej një viti e gjysmë. Sa u përket militantëve që u gjendën mbrëmë pranë mbledhjes së Kryesisë, Zogaj tha se ata kanë të drejtë të informohen për vendimet që merr partia, por nuk mund të imponojnë asnjë qëndrim, ndërsa dënoi kërcënimet dhe sharjet duke i cilësuar si “të palejueshme”.

”Mungesa e liderit ka ndikuar që këto mbledhje të zgjasin pafund, por ka pasur anën pozitive se të gjithë janë dëgjuar e shprehur. Unë kam qenë disa herë në forume të PD-së dhe pjesëtar në disa grupe që kanë pasur propozime në minorancë. Të gjithë duhet të konformohen me vendimin e shumicës, kjo është demokracia.

Kërcënimet dhe sharjet janë të palejueshme në një parti demokratike. Janë disa skena që na kthejnë pas me disa vite. Këto janë skena që përbëjnë një kapitull të trishtë dhe me shumë pasoja në PD.

PD e kërkon më qiri mendimin ndryshe sepse ka raste që e vërteta qëndron te pakica. Kjo është diferenca e partive demokratike me ato pseudo-demokratike. Sot PD nuk ka njerëz të tepërt, ka nevojë të rritet e zgjerohet me më shumë njerëz rreth vetes, e jo të ndërtojë skema të tilla që e zvogëlojnë atë.

Unë e kuptoj se militantët ngarkohen ndonjëherë dhe duhet të kuptohen në frustrimin e tyre. Vetë deputetët e PD-së zyrtare janë prej kohësh në një agresion verbal nga shërbëtorët e miliarderëve që ka krijuar ndër vite kjo parti”,-tha në ”News 24”.

SHKARKO APP