Zgjedhje të parakohshme? Zv/ministrja Kuko: Jemi në kulmin e reformave
Zv/ministrja e Brendshme, Romina Kuko komentoi konkluzionet e Delegacionit të nivelit të lartë nga Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës sa i përket zgjedhjeve të 2019 ku thuhet se “nuk ka demokraci funksionale në nivelin kombëtar, pa një demokraci pluraliste dhe të gjallë në nivelin lokal. Ajo theksoi faktin se roli i kongresit është sugjerues, në kuadër të monitorimit të demokracisë vendore, por jo në mënyrë të specializuar siç bën ODIHR .
E pyetur lidhur me mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme, siç është artikuluar nga opozita, znj. Kuko e cilësoi një moment të papërshtatshëm në aspektin ekonomik dhe atë politik, pasi përkon me kulmin e reformave që po ndërmerren nga qeveria dhe momentin kur pritet një vendim për hapjen ose jo të negociatave nga ana e BE për vendin tonë.
”Së pari duhet ta nisim nga një aspekt shumë praktik, zgjedhjet kushtojnë; me terma financiarë, në terma të burimeve njerëzore dhe në ecurinë te reformave të ndërmarra. Tani jemi në kulmin e disa reformave, si reformave në drejtësi dhe në pragun e momentit vendimtar jo vetëm për Shqipërinë për vendimin që do të marrë BE për Shqipërinë për hapjen e negociatave. Metodologjia e re është e bazuar në indikatorë realë dhe konkret. Zgjedhjet e parakohshme janë opsion kur kërkohen nga të gjithë faktorët politikë, por e rëndësishme tashmë është të avancojmë me të gjitha reformat. Ky nuk është momenti kur duhet të shpenzohemi në të gjitha aspektet për këtë pjesë”,-tha në Euronews Albania.