Zgjedhjet e 14 Majit, nis trajnimi i efektivëve. Rrumbullaku: Siguroj se do të zbatohet ligji
Puna për zgjedhjet lokale të 14 Majit nuk ka nisur veç nga partitë, por po ashtu edhe nga institucionet. Sot ka nisur cikli i trajnimeve me objekt përmbushjen e plotë dhe efektive të detyrave funksionale të punonjësve të Policisë, para, gjatë dhe pas procesit zgjedhor që do të zhvillohet këtë vit.
Trajnimet intensive do të realizohen në ambientet e Akademisë së Sigurisë nga ekspertë multidisiplinarë të OSCE-së, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Prokurorisë së Përgjithshme, dhe do të konsistojnë në informimin e plotë të punonjësve të Policisë, për aspektet ligjore, etike dhe disiplinore të këtij procesi kompleks dhe të rëndësishëm për vendin.
“Falënderoj Ambasadorin e OSCE-së në Shqipëri, për mbështetjen e vazhdueshme që OSCE-ja i ka dhënë dhe po i jep Policisë shqiptare, mbështetje e cila faktohet edhe sot, përmes këtij trajnimi të organizuar për punonjësit e Policisë së Shtetit, për t’i përmbushur plotësisht dhe me efektivitet, detyrat funksionale para, gjatë dhe pas procesit zgjedhor që do të zhvillohet këtë vit.
Gjithashtu, falënderoj Kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Celibashi dhe Prokurorin e Përgjithshëm, për angazhimin e tyre në këtë trajnim. Roli i Prokurorisë së Përgjithshme në këtë proces, është thelbësor, pasi kontrollon dhe certifikon veprimet procedurale që punonjësit e Policisë kryejnë para, gjatë dhe pas procesit zgjedhor.
Siguroj qytetarët, subjektet politike, agjencitë ligjzbatuese dhe partnerët tanë se Policia e Shtetit do të zbatojë vetëm ligjin, ashtu siç ka vepruar në të gjitha proceset zgjedhore, veprime të cilat janë certifikuar nga OSBE-ODIHR. Për Policinë e Shtetit, primare janë ligji, shteti dhe qytetarët”, tha drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku.
KOHA JONË SONDAZH

