Zgjedhjet e 30 Korrikut në 12 Universitete. PD dhe studentët kundër
Nesër mbahen zgjedhjet për drejtuesit e rinj të 12 Universiteteve. 4 mijë pedagogë dhe 70 mijë studentë kanë të drejtën e votës për krerët e rinj të shkollave të larta. Tre kandidatë për rektor dhe 9 për dekanë kanë mbyllur fushatën zgjedhore. Ata do të votohen nga 750 pedagogë dhe 25 mijë studentë.
Për shkak të largimit në shtëpi nga pandemia por edhe kundërshtive për peshën e ulët të votës studentorë 10%, numri i të rinjve në zgjedhje pritet të jetë i ulët. Pas mbylljes së procesit në orën 16:00, në çdo fakultet nis numërimi i votave për rektor, dekan dhe anëtar senati. Emrat e të zgjedhurve i dërgohen ministres së Arsimit, ndërsa rektorët e rinj presin dekretimin nga Presidenti i Republikës.
Përpos studentëve që kanë dalë kundër zgjedhjeve edhe Partia Demokratike i cilëson si antikushtetuese. Procesi po zhvillohet pa garë, tha Albana Vokshi, sipas së cilës, qeveria shfrytëzoi pandeminë për të uzurpuar arsimin e lartë. ”Edi Rama është armiku më i madh i zgjedhjeve. Nuk ka rëndësi nëse ato janë zgjedhje politike apo jo, Edi Rama di vetëm t’i përdhosë ato dhe shkatërrojë për të nxjerrë rezultatin e paracaktuar, herë duke aktivizuar krimin e organizuar, herë duke u sjellë vetë si bandë. Zgjedhjet në universitete, që do të mbahen nesër, janë në kundërshtim me ligjin dhe në shkelje të plotë të të drejtave të studentëve për të zgjedhur”.