”Zgjedhjet fasadë”, IDU miraton rezolutën e PD-së: Të ndalet persekutimi politik
Aleanca Globale e Qendrës së Djathtë, (IDU), e cila drejtohet nga Partia Republikane në SHBA, ka miratuar Rezolutën për Shqipërinë të paraqitur nga Partia Demokratike e Shqipërisë, e cila dënon qeverisjen e Edi Ramës këto 12 vite.
“Rezolutë e paraqitur nga Partia Demokratike e Shqipërisë në Takimin Ekzekutiv të IDU-së, më 6 dhjetor në Uashington, D.C. DUKE QENË SE IDU-ja mbështet fuqimisht sundimin e ligjit dhe integritetin institucional si gurë themeli të demokracisë. Në Shqipëri, 12 vite qeverisjeje socialiste kanë përqendruar pushtetin në një person, duke i reduktuar zgjedhjet në një fasadë. Udhëheqësit e opozitës, deputetët dhe zyrtarët vendorë përballen me persekutim politik, burgosje dhe kërcënime, duke reflektuar regjime autoritare si Bjellorusia dhe Tunizia.
DUKE QENË SE, pavarësisht rekomandimeve të OSBE/ODIHR, shumica socialiste nën drejtimin e Kryeministrit Rama ka dështuar të adresojë abuzimet elektorale dhe ka ndryshuar në mënyrë të njëanshme kushtetutën për të dobësuar opozitën. Me afrimin e zgjedhjeve të vitit 2025, persekutimi politik po përshkallëzohet, i shoqëruar nga gjyqe të motivuara politikisht, arrestime dhe burgosje të udhëheqësve të opozitës si Prof. Dr. Sali Berisha, Ilir Meta, Fatmir Mediu, Ervin Salianji dhe Fredi Beleri.
Vendimi i Gjykatës së Posaçme më 27 nëntor 2024 për të anuluar arrestimin e z. Berisha erdhi pas pyetjeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut drejtuar palëve për shkeljet në rastin e tij, duke zbuluar një sistem gjyqësor të kompromentuar nga ndikimi socialist, që është shndërruar në një mjet për shtypjen e opozitës dhe manipulimin e zgjedhjeve. Paralajmërimet e Komisionit të Venecias për kapjen e reformës në drejtësi nga partia në pushtet janë materializuar nën drejtimin e Ramës, duke kërcënuar stabilitetin demokratik të Shqipërisë.
Kërkesat e IDU-së:
1. Të ndalet persekutimi politik kundër udhëheqësve të opozitës, duke siguruar një mjedis të drejtë dhe të hapur për të gjithë aktorët politikë që të bëjnë fushatë pa asnjë persekutim politik;
2. Ruajtja e sundimit të ligjit dhe integritetit institucional si gurë themeli të një shoqërie demokratike;
3. Një sistem gjyqësor i paanshëm, i lirë nga ndërhyrjet politike;
4. Intensifikimi i luftës kundër krimit të organizuar, trafikut të drogës dhe pastrimit të parave, duke siguruar që veprimet të mbeten të paanshme dhe të mos synojnë opozitën;
5. Zgjedhje të lira dhe të ndershme, duke garantuar pavarësinë e administratës publike nga partia në pushtet;
6. Krijimi i një qeverie kujdestare, e modeluar sipas Maqedonisë së Veriut, për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme.
IDU rikonfirmon mbështetjen për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, zgjedhjet e lira dhe rolin kritik të opozitës në rivendosjen e demokracisë. IDU do të monitorojë nga afër zhvillimet dhe do të mbështesë aspiratat demokratike dhe evropiane të Shqipërisë”, thuhet në këtë rezolutë.