Zgjedhjet lokale, Balliu: Kandidatët e primareve do kandidojnë me logon e PD. Bardhi: Regjistrohet ai që njeh ligji

Shefi i Organizimit në PD-në e Berishës, ish-deputeti Klevis Balliu thotë se kandidatët e primareve do të kandidojnë me logon e PD në zgjedhjet lokale të 14 majit. Po ashtu Balliu theksoi se aksioni dhe lufta kundër Edi Ramës bashkon PD.

”Në zgjedhje do na bashkojë vota. Një kandidat ka. Kandidatët e dalë nga vota. Çfarë u tentua me McGonigal? Ekzekutimi i opozitës. Kandidatët e primares do kandidojnë me logon e PD. Nuk do kandidojë me Shtëpia e Lirisë, do kandidojë me logon e PD dhe pikë, është çështje e mbyllur. Kush tenton të vjedhë opozitën do marri atë që i takon”,-tha Balliu.

Kurse deputeti Gazmend Bardhi nga grupi i Alibeajt, tha se nuk e ka kuptuar qëndrimin e komisionerit Celibashi dhe pohoi se çështja është e zgjidhur dhe KQZ duhet të regjistrojë atë pjesë të partisë që e lejon ligji.

Fevziu: Jeni të gatshëm të dilni me një logo?

Bardhi: Unë kam bërë një propozim që nuk u pranua. Ka patur përpjekje gjatë kësaj kohe për të arritur unifikimin e opozitës në zgjedhje.

Fevziu: Si do të ndodh në zgjedhje? Ju e dini ç’do të thotë kjo situatë. Gjykata mund të mos marr asnjë vendim.

Bardhi: Me shumë gjasa po, gjykata po e zvarrit. Ligjërisht çështja është e zgjidhur. Qëndrimin e komisionerit nuk e kuptova përse e ka shtyrë regjistrimin e anëtarëve të KZAZ-ëve.

Fevziu: Kë duhet të regjistrojë?

Bardhi: Atë që e detyron ligji. Edhe ju vetë e dini, nuk ka nevojë për njohuri të thelluara.

Fevziu: Si mund të regjistrojë KQZ nëse privon një palë që ka një numër të madh zgjedhësish…

Bardhi: Nuk kanë rëndësi teknikalitetet. Qëndrimi im ka qenë, që duhet të jemi me një listë dhe të unifikuar sepse mungesa e alternativës së unifikuar e dobëson opozitën.

Fevziu: Çfarë e ka penguar?

Bardhi: Nuk ka patur asnjë vullnet nga pala tjetër për një qëndrim të unifikuar.

Fevziu: Është çështje parimesh?

Bardhi: Unë kam shtruar një zgjidhje e kam bazuar gjithmonë në parime dhe jo në bindje personale. Unë nuk hyj në asnjë proces bisedimesh ku them, për shembull ti merr Tiranën, se unë do marr për shembull Durrësin. /Opinion.al/

SHKARKO APP