Zgjedhjet lokale, Loçi: Të rinjtë të zgjedhin personat e duhur për përfaqësim
Flet për “Koha Jonë”, kryetari i Forumit Rinor të Partisë Demokratikë Lezhë, Albert Loçi: Të rinjtë duhet të reagojnë për çdo padrejtësi.
Intervistoi: Majlinda Noka
Kryetari i Forumit Rinor të Partisë Demokratikë, Lezhë, Albert Loçi në një intervistë për “Koha Jonë” deklaron se detyra e të rinjve është të reagojë për çdo padrejtësi që bëhet në këtë vend.“FRPD ka qenë aty në çdo protestë duke shërbyer si një “motor” i vërtetë energjie dhe shprese” dhe shton më tej se janë zhvilluar një sërë protestash për akuza nga më të ndryshmet, duke nisur nga rritja e varfërisë dhe moskrijimi i vende të punës që u premtuan nga qeveria e duke vazhduar me fenomenin e largimit të shqiptarëve nga Shqipëria e kryesisht të moshave të reja ku pjesa më e madhe e tyre kishin kryer studimet e larta. “Në këto zgjedhje të rinjtë e PD-së do kenë një hapësirë më të madhe edhe në këshillat bashkiakë. Jo më pak por 10% e të zgjedhurve në Këshillat vendore do jenë të rinj pikërisht nga forumi, kjo e miratuar edhe me statutin e ri të PDSH”, ka deklaruar më tej Loçi.
FRPD ka pasur një rol jo të vogël në protestat e zhvilluara nga Partia Demokratike. Cili është mesazhi që doni të përcillini te të rinjtë?
Në dy vitet e fundit Partia Demokratike ka zhvilluar një sërë protestash për kauza nga më të ndryshmet duke filluar nga rritja e varfërisë dhe moskrijimi i vendeve të reja të punës që u premtuan nga qeveria Rama duke vazhduar me fenomenin e largimit të shqiptarëve nga Shqipëria e kryesisht të moshave të reja ku pjesa më e madhe e tyre kishin kryer studimet e larta dhe vendosën që të largohen për të kontribuar në vende të tjera të Europes dhe më gjërë. Sigurisht vlen të përmendet protesta maratonë që zgjati plot 90 ditë në mbrojtje të votës dhe të vullnetit të lirë të qytetarëve për të ndryshuar fatet e tyre dhe të fëmijëve.
Sigurisht që FRPD ka qenë aty në çdo protestë duke shërbyer si një ‘motor’ i vërtetë energjie dhe shprese. Dita ditës të rinjtë shtoheshin në sheshe, e them me bindje të plotë edhe pa ngjyra partiake të rinjtë ishin aty. Ishin aty sepse të rinjtë duan ndryshim, ato nuk pranojnë t’u diktosh mënyrën e jetesës, nuk pranojnë të nëpërkëmben për asnjë lloj arsye qoftë kjo dhe politike. Duhet të theksojmë se ishin pikërisht baballarët dhe nënat tona që në fillim vitet ’90 , si dhe pjesa më e madhe të rinj studente ose që sapo kishin kryer studimet që arritën të shembin një ndër regjimet më të ashpra që ka njohur historia. Mesazhi është i qartë: është detyra jonë si të rinj të reagojmë të parët për çdo padrejtësi që bëhet në këtë vend. Përshembull nëse një taksë rritet pa marrë parasysh mundësinë e qytetarëve, nëse me të ardhurat që kanë arrijnë ta paguajnë ose jo, atëherë ajo taksë rritet si për mua që jam demokrat si për dikë që është me një parti tjetër ose dhe pa parti.
25 vjeç, kryetar i FRPD-së në Lezhë. Sa e lodhshme ka qenë për të arritur deri këtu dhe çfarë ke të veçante nga moshatarët e tu?
Ky është viti i 3-te i mandatit tim si kryetar i FRPD Lezhë. Dua të them se gjatë kësaj periudhe forumi ka pasur një axhendë të ngjeshur pasi e përmenda dhe më sipër Partia Demokratike ka qenë në protesta të vazhdueshme dhe sigurisht një pjesë e e protestës është dhe sensibilizimi i qytetarëve dhe ftesa e tyre për tu bërë pjesë e saj. Ky është një proces ku më së shumti është detyrë e forumit të jetë në terren, gjë që na ndihmon të jemi dhe më afër qytetarëve.
Fillimet e angazhimeve të mia në PD kanë qenë që në moshën 16-17 vjeçare me forumin rinor në zonën time, sigurisht më pas pranë strukturave të gjimnazit e më vonë dhe në fakultet.
Të merresh me politikë në Shqipëri nuk është e lehtë e aq më pak në zona problematike siç është Qarku i Lezhës. Të zgjidhesh kryetar me parimin ‘Një anëtar një votë’ sigurisht nuk është çështje fati apo rastësie. Kisha disa vite i angazhur në struktura dhe njihja e më njihte pothuajse secili prej tyre për kontributin tim personal në PD dhe në FRPD.
Përpara se të zgjidhesha kryetar i FRPD-së Lezhë, mbaja postin e kryetarit të FRPD-se në ish Komunën Kolsh sot Njesia Administrative Kolsh, si dhe kryetar i Departamentit të Infrastrukturës dhe Transportit pranë PD-së Lezhë.
I thashë këto për të treguar se asgjë nuk ishte e rastësishme por gjithçka ishte si rrjedhojë e punës time pranë PD-së.
Të jem i sinqertë nuk mendoj se kam diçka të veçantë nga bashkëmoshatarët e mi. Në ndryshim nga një pjesë e mirë që kanë zgjedhur të largohen nga vendi duke e parë si të vetmen mënyrë shpëtimi, unë kam zgjedhur të qëndroj. Të qendroj, të luftoj dhe të kontribuoj çdo ditë që ky vend të jetë i jetueshëm e të mos i mbajmë sytë nga bota dhe mendjen vetëm për t’u larguar nga këtu. Ne si qytetarë kemi përgjegjësitë tona dhe duhet të përballemi me to e jo tu’ kthejmë kurrizin. Nuk është zgjidhje të ikim sepse askush nga ne s’ka deshirë të largohet, por janë të detyruar pikërisht nga kjo klasë politike. Prandaj ju bëj thirrje të rinjve të reagojnë e luftojnë për të ardhmen e tyre para se të jetë shumë vonë sepse sot të ardhmen tonë po na e dikton politika dhe jo vetë Ne.
-Je angazhuar në politikë që 17 vjeç. Sa i kënaqur je me arritjet e tua dhe ku do ta shohim Albertin pas 10 vitesh?
Besoj se çdo arritje e imja vjen si pasojë e punës time, përkushtimit dhe pasionit për tu marrë me politikë, pa harruar këtu edhe mbështetjen që PD ju jep të rinjve. Por sigurisht që në politikë asgjë nuk arrihet i vetëm. Kam fatin dhe privilegjin që të drejtoj një prej forumeve më të mrekullueshme që ka PDSH. Të punosh me ato vajza dhe djem është një kënaqësi dhe një nder në vetvete. Sëbashku me këta të rinj krahas aktivitetit tonë politik kemi ndërmarrë dhe aktivitete të tjera humane dhe sensibilizuese për komunitetin. Përmendim bashkëpunimin me Kryqin e Kuq Shqiptar Dega Lezhë në Ditën Botërore Kundër Urisë duke ndihmuar dhjetra familje me pako ushqimore, për të vijuar më tej me dhurimin e gjakut çdo 1 Qershor që nga 2016 për fëmijët që vuajnë nga Talesemia. Një tjetër synim i yni është dhe mbrojtja e mjedisit dhe sensibilizimi për një Zhvillim të Qendrueshëm të mjedisit, për të cilin kemi ndërmarrë disa nisma sensibilizuese në data ndërkombëtare siç është 22 Prilli Dita e Tokës, ku bëjmë pastrime të mbetjeve në zonat bregdetare dhe mbjellje fidanësh të përshtatshëm me terrenin duke i paraprirë kështu edhe sezonit turistik.
Pra gjatë këtyre viteve është bërë një punë e madhe dhe sigurisht janë krijuar dhe disa standarte të reja në drejtimin e një organizate siç është forumi rinor.
Përsa i përket pjesës së dytë të pyetjes nuk e kam menduar në detaje pasi është një periudhë e gjatë por sigurisht që plane kam dhe shpresoj se do i realizoj. Një gjë është e sigurtë, edhe pas 10 viteve, unë do jem akoma në PD.
A ka nisur angazhimi i FRPD-së në Lezhë për zgjedhjet lokale. Po të rinjtë a do kenë rol vendimarrës?
Angazhimi i strukturave të forumit është i vazhdueshëm dhe koherent me situatat politike në vend por sigurisht që periudha fushate, puna dhe aktivizimi janë me voluminoze. Për momentin të gjitha degët e PD-së në Shqipëri janë në proces zgjedhor në të gjitha nivelet e saj dhe brenda muajt Tetor çdo gjë do jetë e përfunduar. Gjatë këtij procesi do ketë propozime dhe për kandidatet për kryetar bashkie gjë e cila në një moment tjetër do sjellë dhe një emër përfundimtar si kandidat i opozitës së bashkuar për Bashkinë Lezhe.
Në këto zgjedhje të rinjtë e PD-së do kenë një hapësirë më të madhe edhe në këshillat bashkiake. Jo me pak por 10% e të zgjedhurve në Këshillat vendore do jenë të rinj pikërisht nga forumi, kjo e miratuar edhe me statutin e ri të PDSH. Pra mendoj se tani është momenti që të rinjtë të zgjedhin personat e duhur për të përfaqësuar rininë dhe problematikat e saj që has në çdo bashki të vendit.
A janë të rinjtë mjaftueshëm të përfshirë në programin e PD-së, apo janë aty për interesa të vetë PD-së?
Interesat e PD-së janë të qarta dhe ato janë interesat e çdo qytetari, ti siguroje kushte çdo shtrese që të kenë mundësi të jetoje në ketë vend e jo të largohet. Ky vend ka nevoje për vende pune, ulje taksash, siguri në shëndetësi e një shkollim cilësor për të rinjtë. Në 2017-ten në zgjedhjet parlamentare Partia Demokratike erdhi me një program të plotë për të gjitha shtresat. Sigurisht për të rinjtë fokusi kryesor ishte shkollimi cilësor e me standarde dhe sigurimi i vendeve të punës. Ndërsa përballë kishim një qeveri që tallej nga mëngjesi deri në darke me qytetarët. Mos mendoni se qytetarët i besuan Ramës qeverinë për herë të dytë , por ato e varfëruan aq shume popullin sa qytetarët u detyruan të shisnin votën. Kemi raporte nga ndërkombëtarët që mbi 20% e votave janë blerë në zgjedhjet e fundit. Më lejoni tu jap disa shifra të tmerrshme që i përkasin të rinjve në Shqipëri. Në shtator nisi viti i ri shkollor, nisi me plot 133 shkolla të mbyllura dhe me 130.000 nxënës të larguar nga sistemi arsimor në 5 vitet e fundit. Në 3 vitet e fundit kemi mbi 1 milion shqiptare që kanë aplikuar për lotarinë amerikane, dhe 150.000 të rinj që janë larguar nga Shqipëria, 1 në 2 të rinjve kërkon të largohet nga vendi.