Zgjedhjet, mbërrijnë 6.9 milionë fletë votimi nga Sllovenia

 

Kanë mbërritur fletët e votimit për zgjedhjet vendore të 21 qershorit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë në dorëzim fletët e votimit, që janë prodhuar edhe për këto zgjedhje nga një kompani e specializuar sllovene. Në total janë prodhuar 3 437 683 fletë votimi për kryetarë dhe 3 438 683 fletë votimi të tjera për këshillat bashkiakë.

Pra, në total janë prodhuar 6 876 366 fletë votimi, ose thënë ndryshe, numri i zgjedhësve të regjistruar në listat e zgjedhësve i shumëzuar me dy, plus 2 për qind fletë votimi rezervë. Në një dalje për mediat, zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxhaj ka informuar se fletët e votimit dhe gjithë baza materiale zgjedhore është magazinuar në magazinën e KQZ-së në Farkë.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në kuadër të përgatitjes së zgjedhjeve të 21 qershorit bën me dije se fletët e votimit, të cilat do të përdoren për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, kanë mbërritur në datën 12 qershor. Brenda afateve kohore të përcaktuara nga KQZ-ja, fletët e votimit u prodhuan nga kompania sllovene “Cetis”, dhe janë depozituar në magazinat e Lundrës sipas të gjitha procedurave ligjore”, – tha Hoxhaj.

Së bashku me fletët e votimit kanë mbërritur edhe shabllonët për zgjedhësit të cilët nuk shikojnë, e që do t’u japin mundësi këtyre zgjedhësve të ushtrojnë të drejtën e votës, vetë dhe pa u asistuar nga të tjerë. “Është hera e parë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve arrin të përmbushë këtë angazhim me sukses, dhe në çdo qendër votimi, për të dy fletët e votimit do të jenë të disponueshme shabllonët përkatës”, – tha Hoxhaj.

Aktualisht, administrata e KQZ-së po punon intensivisht dhe është në fazën e përgatitjes së bazës materiale zgjedhore: kutitë me mjetet kancelarike, kutitë e votimit, kutitë e materialeve zgjedhore dhe i gjithë dokumentacioni i nevojshëm për miradministrimin e procesit zgjedhor. Pas përgatitjes së bazës materiale zgjedhore, do të vijohet me shpërndarjen e tyre në çdo KZAZ, e më pas në çdo qendër votimi.

Në funksion të rritjes së transparencës dhe besimit të subjekteve zgjedhore në procesin zgjedhor, KQZ ka implementuar projektin e “Kamerave në Lundër”. Ky projekt i realizuar me buxhetin e KQZ-së, mundëson vëzhgimin dhe regjistrimin e të gjithë veprimtarisë që kryhet në magazinat e KQZ-së në Lundër. Gjithashtu, ky projekt mundëson edhe aksesin e subjekteve politike për të vëzhguar 24 orë online veprimtarinë në këto ambiente ku administrohen baza materiale zgjedhore.

SHKARKO APP