Zgjedhjet në Greqi, një shqiptar kandidat për deputet

Grekët do të shkojnë sërish javën e ardhshme drejt kutive të votimit, për të tretën herë radhazi brenda një viti, me një pasiguri rreth emblemës së qeverisë së ardhshme po jo rreth programit të saj pasi ai është vulosur tashmë, bëhet fjalë për një valë të re masash shtrënguese të nënshkruara në muajin korrik me kreditorët. Këto zgjedhje të parakohshme parlamentare erdhën si pasojë e dorëheqjes së kryeministrit Alexis Cipras më 20 gusht, pas shtatë muaj të qeverisjes së partisë së tij radikales së majtë “Syriza”.

Por në këto zgjedhje ka edhe një element të rëndësishëm për ne shqiptarët, pasi në listën për deputetë të PASOK është edhe një shqiptar, Adriatik Arifi. Po kush është Adriatik Arifi?

Adriatik Arifi, ka mbaruar studime në Akademine Ushtarake Tirane në vitin 1991 dhe si shumë intelektualë të tjerë, në vitin 1995 bashkë me familjen e tij emigron në Greqi. Gjatë qëndrimit të tij në Athinë vazhdon studimet në fushën e shkencave shoqërore e politike dhe ekonomi­-financë. Ai është i diplomuar në vitin 2006 në Universitetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, ‘Panteion Athinë’, dega Administrim Publik. Në vitin 2010, po në të njëjtin universitet, diplomohet në nivel Master. Është kandidat për doktoraturë me temë: “Integrimi i Shqipërisë në BE dhe problematika në Reformën Administrative Që në vitin 2010 është kontabilist dhe antar i Kabinetit Ekonomik të Greqisë. Eshte specialist në aplikimin dhe zbatimin e programeve te BE (ErasmusPlus). 

Mini-Intervista

Sa janë shanset që ju të fitoni vendin në Parlamentin grek?
 
Kandidatura ime për deputet në Parlamentin Grek është një hap i parë për faktorizimin politik të emigracionit në Greqi. Kjo kanditaturë vjen nëpërmjet Pasok­-ut, një partie përparimtare demokratike dhe e orjentuar plotësisht në familjen evropiane, por për shkak të reformave të domosdoshme për vendin të ndërmarra vitet e kaluara, ka pësuar një “traumë” e cila gradualish po kurohet, mbasi populli po e kupton gjithnjë e meë shumë që zgjidhja qëndron vetëm në kuadrin e BE dhe nëpërmjet reformave të thella ekonomike. Në zgjedhjet e 20 shtatorit do të votojnë shumë emigrantë sidomos emigrantë të brezit të dytë mbi të cilët investojmë punën tonë. Në këtë stad, e rëndësishme nuk është të zgjidhesh medoemos, por nëse arrijmë të sensibilizojmë pjesën më të madhe të emigrantëve votues, besoj se ky do të jetë një rezultat mjaft i mirë.
 
Cila është politika për emigracionin e partisë që ju kandidoni?
Partia që unë kandidoj ka një platforme shumë të qartë në lidhje me politikën per emigracionin. Është e vetmja parti e cila brenda strukturave të saj, funksionojnë organizma që hartojnë dhe zbatojnë çeshtjet që kanë të bëjnë me emigracionin dhe për të drejtat e njeriut në përgjithësi. 
Ështe kjo parti (PASOK­u) që votoi ligjin 3838/2010, për nënshtetësinë, për brezin e dytë si dhe të drejtën e votës në zgjedhjet e organeve vendore. Ishte përsëri Pasok­u që mbeshteti fuqishem votimin e Ligjit të Ri 4332/2015 , të emigracionit dhe të nënshtetësisë greke për brezin e dytë.
 
Besoni se Greqia do e kapërcejë krizën ekonomike?
Greqia është një vend me resurse të pashtershme ekonomike, shoqërore dhe politike. Shfrytezimi i drejtë dhe hartimi i politikave të perbashkëta nga gjitha partitë me profil evropian do t’i jap mundësi vendit të kapercejë vështirësitë e sotme ekonomike. Në këtë proces, PASOK-­u është një parti që do të luajë një rol shumë të rëndesishëm për stabilizimin dhe kapërcimin e krizës ekonomike në vend.
"JavaNews"

SHKARKO APP