Zgjedhjet në Himarë/ Dule: Dërguat një kandidat të importuar! Spiropali: Tavo di të bëjë punën, përfaqëson shqiptarë e grekë

Më 4 gusht do të mbahen zgjedhjet e parakohshme në bashkinë e Himarës. Kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule dhe ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, u përfshinë në një debat gjatë seancës së sotme plenare. Vangjel Tavon, kandidatin e PS-së, Dule e konsideroi “kandidat të importuar”.

”I keni çuar sot Himarës një kandidat të importuar. E çuat bashkë me farefisin, dhe i bëtë zgjedhës në bashki. I çuat edhe bashkëpunëtore duke ju shpërndarë role, e duke u premtuar troje. I çuat një kandidaturë produkt i merkatos politike. Kandidaturë që kryeministri e akuzonte si tepsixhi dhe ai kryeministrin drogaxhi. E keni prezantuar si një minoritar. E çoni tek lumi i Vlorës si kandidat, që do ndalojë të flitet greqisht në Himarë.

Është i qartë objektivi juaj, himarjotëve doni t’u rrëmbeni pronat, dhe banorëve të lumit të Vlorës po tentoni ti merrni ujin e lumit. Në këto kushte keni ndërsyer duke shkelur ligje e parime gjithë administrata është në Himarë. Po ju garantoj çfarëdo që të bëni, nuk ka shantazhim, kërcënim e joshje që mund të përdorni për të mposhtur frymën himariote. Nuk mund të rrëmbeni pronën, trashëgiminë e dinjitetin e tyre”,-tha Dule.

Nga ana tjetër, Spiropali kundërshtoi Dulen dhe mbrojti Tavon, duke e cilësuar kandidat që di të bëjë punën dhe të përfaqësojë shqiptarë e grekë.

”Zgjedhjet për bashkinë e Himarës nuk janë referendum politik, por janë zgjedhje lokale për banorët atje drejt zgjidhjeve. Zgjedhjet në Himarë nuk janë zgjedhje për të përçare minoritetin dhe shqiptarët por për të bashkuar qytetarët atje. Zgjedhjet për bashkitë nuk janë për të ndarë pronat, copat apo ndikimet të brendshme ose të jashtme, por janë zgjedhje që ato troje, ti vëmë në funksion të zhvillimit. Kemi zgjedhur një kandidat që di të bëjë punën dhe të përfaqësojë shqiptarë e grekë. Ne me zgjedhjet e Himarës nuk bëjmë politikë as të brendshme as të jashtme, por do t’i Himarës japim zgjidhje për problemet e tyre lokale jashtë ndikimeve që e kanë kthyer këtë beteje elektorale në një luftë të pakuptimtë ndikimesh që nuk ju bëjnë nderë”,-tha Spiropali.

SHKARKO APP