Zgjedhjet në Himarë më 4 gusht, testohen pajisjet e identifikimit elektronik të zgjedhësve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve zhvilloi sot testimin operacional të pajisjeve të identifikimit elektronik të zgjedhësve (PEI) që do të përdoren në zgjedhjet pjesshme për kryetarin e bashkisë Himarë, që do të zhvillohen në datën 4 gusht.

Për identifikimin e zgjedhësve do të implementohet Sistemi Elektronik i Identifikimit të Votuesve (SEIV) dhe do të përdoren Pajisje Elektronike të Identifikimit (PEI) të vendosura në 36 qendra votimi, të cilat do të sigurojnë identifikimin e saktë të zgjedhësve, bazuar në regjistrin elektronik të mbajtur në pajisje.

Në mënyrë rastësore u përzgjodhën 3% e pajisjeve për të testuar përputhshmërinë e kritereve nga KQZ në raport me atë çfarë ofrojnë pajisjet. Simulimi i procesit në këtë test operacional verifikon elementët si: nëse një votues i përket asaj qendre votimit, nëse një votues tenton të votojë më shumë se një herë, apo nëse një votues është në qendrën e gabuar të votimit. Gjithashtu, edhe rastet e veçanta që lidhen me komisionerët apo zgjedhësit që paraqiten me vendim gjykate.

Procesi i identifikimit elektronik do të përfshijë të njëjtat parime identifikimi sikurse është kryer në kushte manuale. Zgjedhësi në ditën e votimit do të paraqitet në qendrën e tij të votimit me letërnjoftim ose pasaportë biometrike, për t’u identifikuar përmes pajisjes PEI, ku përveç dokumentit të identifikimit do të lërë edhe gjurmët daktiloskopike (shenjat e gishtërinjve), të cilat do të shërbejnë për evidentuar rastet e votimit të paligjshëm.

SHKARKO APP