Zgjedhjet në Kosovë, Osmani: Strukturat ilegale të Serbisë cenuan garën në komunat e banuara me serbë
Në lidhje me zgjedhjet për pushtetin lokal në Kosovë që u mbajtën ditën e djeshme (e dielë), presidentja Vjosa Osmani tha se gara në komunat me shumicë serbe u ndikua nga imponimet e strukturave ilegale të Serbisë. Për të këto struktura kanë cenuar garën në mes të subjekteve politike dhe shprehjen e lirë të vullnetit të votuesve.
“Presidentja Osmani vlerësoi mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale duke konfirmuar standardin e ndërtuar nga Republika e Kosovës për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe demokratike.
Tutje, ajo nënvizoi se sipas informatave që vijnë nga institucionet tona, gara në komunat e banuara me serbë ishte e ndikuar nga imponimet e strukturave ilegale të Serbisë, të cilat e kanë cenuar garën në mes të subjekteve politike dhe shprehjen e lirë të vullnetit të votuesve.
Duke i falënderuar për prezencën e tyre dhe gatishmërinë për t’i qëndruar Kosovës pranë në çdo hap të konsolidimit të demokracisë në vend, Presidentja Osmani shprehu mirënjohje për përgjigjen pozitive të pranuar nga Parlamenti Evropian dhe vlerësoi lartë prezencën e këtij delegacioni në vëzhgim të zgjedhjeve”.