Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut, Ditmir Bushati: Rëndësi të padiskutueshme, shqiptarët kanë një kontribut thelbësor

Ish-ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati ka dhënë një mesazh një ditë para zgjedhjeve përfundimtare parlamentare në Maqedoninë e Veriut.

Bushati i cilëson këto zgjedhje me rëndësi të padiskutueshme duke vlerësuar rolin e shqiptarëve në zhvillimin e vendit dhe rrugën euroatlantike.

Ai thotë se potenciali i tyre në ndërtimin e një shoqërie europiane është i madh dhe se potenciali çlirohet përmes përfaqësimit.

POSTIMI I PLOTË
Zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut janë të parat që zhvillohen pas zhbllokimit të rrugës euroatlantike të vendit, ku shqiptarët, si një nga dy komunitetet shtetformuese, kanë një kontribut thelbësor.

Rëndësia e këtyre zgjedhjeve është e padiskutueshme. Duke marrë parasysh vështirësitë që imponon situata me pandeminë, mobilizimi për një pjesëmarrje masive në zgjedhje dhe besimi ndaj përfaqësuesve më të mirë të partive politike shqiptare është domosdoshmëri.

Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut kanë qenë në pararojë të proceseve tona kombëtare. Potenciali i tyre në ndërtimin e një shoqërie europiane është i madh. Potenciali çlirohet përmes përfaqësimit. Një përfaqësim sa më i mirë është garanci për përmbushjen e të gjitha pikave të Deklaratës së Përbashkët të Partive Politike Shqiptare, të 7 Janarit 2017. Pika, që do të siguronin barazinë e plotë ndërmjet dy komuniteteve shtetformuese, duke konsoliduar në të njëjtën kohë arritjet e deritanishme që kanë lidhje me përdorimin e simboleve kombëtare dhe përfaqësimin e drejtimin e institucioneve kryesore të shtetit.

Një fqinj stabël, demokratik, në harmoni ndëretnike, anëtar i NATO-s dhe bashkëudhëtar në rrugën drejt anëtarësimit në BE, është në interesin e Shqipërisë dhe promovimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.

SHKARKO APP