Zgjedhjet në PD, Bogdani: Kushdo që të jetë kryetari i ri, reformimi do të jetë i pashmangshëm
Sot ka nisur dhe fushata në Partinë Demokratike, që do të zgjedhë kryetarin e ri në datën 13 qershor.
Në lidhje me këtë temë dhe zhvillimet e tjera politike në vend, në Edicionin e Pasdites në SYRI TV, ishte i ftuar ish-deputeti demokrat Gerti Bogdani.
Duke folur për zgjedhjet brenda PD-së, Bogdani tha se pritet të ketë një garë reale.
“Do të ketë një garë, edhe pse është një kohë e shkurtër. Është një proces i rëndësishëm i PD-së. Me këta 4 kandidatë, gara është goxha interesante dhe besoj se një pjesë e demokratëve e gjejnë veten tek këta kandidatë.
Për mua nuk ka rëndësi emri i përveçëm që i vendosim kryetarit të PD, dhe PD-së. Kjo sepse për ne më e rëndësishme është Shqipëria. E rëndësishme është që në fund PD të dalë më e fortë në fund të këtij procesi. Kushdo që të jetë kryetari i ardhshëm, reformimi do të jetë i pashmangshëm në fund. Është i rëndësishëm procesi dhe riorganizimi i PD-së.
PD duhet i hapë në mënyrë reale dyert e saj, për ata të rinj dhe shqiptarë që kanë shkëlqyer në fushat e tyre. Më e rëndësishme është të afrohen qytetarë nga jashtë politikës. Mendoj se PD duhet të hapë realisht derën, kushdo që të jetë kryetari i ri. Nëse PD nuk e hap derën për të rinjtë, do të jetë një problem”, tha Gerti Bogdani gjatë intervistës.