Zgjedhjet në PD, Këlliçi: Rezultati nuk lë vend për diskutim
Me votat e së dielës, Lulzim Basha u rizgjodh sot kryetar i PD-së dhe për deputetin e zgjedhur, Belind Këlliçi, pretendimet e kandidatëve të tjerë nuk qëndrojnë. I ftuar në A2, Këlliçi tha se për çdo ankesë të kandidatëve, ata si komision e kemi zgjidhur në kohë rekord.
”Çdo garanci që kanë kërkuar, u është dhënë. Është bërë punë model nga ana e të gjithë komisioneve. 100% e vëzhguesve të 4 kandidatëve kanë pranuar rezultatin final për çdo kuti. Vetëm në Sarandë dhe Devoll ka patur disa parregullsi të pretenduara, që nuk kanë ndikuar në rezultat”.
Bazuar në të dhënat zyrtare, rezulton se në 75 mijë anëtare të PD, kanë votuar 41 mijë anëtarë. Vota të pavlefshme kanë rezultuar 413, të vlefshme 40 mijë vota, të ndara sipas kandidatëve në garë. 781 anëtarë kanë votuar për Fatbardh Kadillin, 983 për Edith Harxhi, Për Agron Shehaj, 6338 anëtarë, 32 882 anëtarë kanë votuar për Lulzim Basha.