Zgjedhjet në Turqi, shuhet ëndrra e Erdogan

 

Partia për Drejtësi dhe Zhvillim e presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, duket se ka humbur shumicën në zgjedhjet parlamentare të së dielës.Kanë qenë një “dush i ftohtë” për presidentit Erdogan, zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura të dielën në Turqi. Partia e tij, AKP ka marrë vetëm 40.8% të votave duke siguruar vetëm 258 deputetë, 71 më pak sesa ka aktualisht në parlamentin me 550 vende.

 

Kur janë numëruar mbi 86% e votave partia e Erdogan ka siguruar vetëm shumicën e thjeshtë, por jo 2/3 e vendeve për t’i dhënë mundësinë që ai të bëjë ndryshime kushtetuese dhe t’i japë vetes detyra ekzekutive. Do të mbetet “në sirtar” ëndrra e Erdogan për ta transformuar Turqinë në Republikë Presidenciale gjë që do e shndërronte shtetin në një regjim autoritar.

Ai që i prishi këtë ëndërr është Selahatin Demartis lideri i partisë filokurde HDP e cila ka kaluar 10% dhe ka siguruar 78 vende në Parlament. Vota e sotme përkthehet në një frenim për Presidentin Erdogan që këto zgjedhje i kishte shndërruar në një referendum për reformën presidenciale.

Nëse rezultatet konfirmohen, ato do t'i japin fund sundimit 13-vjeçar të partisë së Erdoganit si parti e vetme, si dhe planeve të tij për të zhvendosur Turqinë nga sistemi parlamentar në sistem presidencial. Kryeministri Ahmet Davutoglu ka pranuar rezultatet. "Vendimi i popullit është vendimi më korrekt", ka thënë ai.

Analistët përmendin disa arsye përse popullariteti i Erdoganit dhe ai i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim mund të ketë rënë – në mesin e tyre: pretendimet për korrupsion të shfrenuar, ekonomia më e dobët dhe papunësia relativisht e lartë. Norma e papunësisë prej 11.3% është më e larta në pesë vjet.

Përveç kësaj, imazhi i Erdoganit është dëmtuar shumë nga shtypja e dhunshme e protestave në Stamboll për shkatërrimin e propozuar të Parkut Gezi. Policia ka pasur të drejtë të përdorë municion të vërtetë ndaj protestuesve dhe të arrestojë qytetarë pa urdhër të gjykatës.

SHKARKO APP