Zgjedhjet Presidenciale, Europa në pritje të rezultateve
Evropa, sikurse edhe pjesa tjetër e botës, duket se po mban frymën në pritje të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara. Ne reagimet e para pas votimeve të martës një pjesë e zyrtarëve evropianë thanë se do të punojnë me cilindo që fiton zgjedhjet. Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell tha se blloku 27 vendesh është i gatshëm që të ndërtojë partneritet të fortë transatlantik.
“Populli amerikan foli. Derisa presim për rezultatin, BE-ja është e gatshme të vazhdojë ndërtimin e partneritetit të fuqishëm transatlantik, të mbështetur në historinë dhe vlerat tonë të përbashkëta”, shkroi ai ne rrjetin social Twitter. Zëvendës kancelari gjerman Olaf Scholz, tha të mërkurën se “çdo qytetar amerikan duhet të ketë mundësinë të ndikojë rezultatin me votën e tij, ndërsa shprehu bindjen në vazhdimin e partneritetit me Shtetet e Bashkuara edhe pas zgjedhjeve.
“Shtetet e Bashkuara do të mbeten një partner i rëndësishëm pavarësisht përfundimit të zgjedhjeve, por është e rëndësishme që gjithçka të numërohet dhe në fund të fundit të kemi një rezultat të qartë që del nga zgjedhjet demokratike në procedura demokratike”, tha zoti Scholz. Bashkimi Evropian po pret rezultatin, kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha shkroi në twitter se “është e qartë që qytetarët amerikanë zgjodhën Donald Trumpin.”
Zëdhënësi i Komisionit Evropian Eric Mamer, refuzoi të komentojë qëndrimin e kryeministrit slloven por paralajmëroi rreth ndërhyrjes në procesin që po vazhdon. “Pritjet tona janë që autoritetet përgjegjëse për procesin që po zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të jenë ata që shpallin rezultatet,” tha ai. Sekretari i Jashtëm britanik Dominic Raab, shprehu besimin në institucionet amerikane, ndërsa Britania po pret me interes përmbylljen e procesit të zgjedhjeve. ”Pra, ne thjesht do të duhet të jemi të durueshëm, por do të jemi të gatshëm, të zotë dhe entuziastë për të punuar me miqtë dhe partnerët tanë amerikanë, pavarësisht nga rezultati i garës”, tha sekretari Raab. /VOA/