Zgjedhjet të dielën, PD akuzon Ramën: Po bashkëpunon me Tom Doshin për të blerë vota

Këtë të dielë, 6 mars do të mbahen zgjedhjet e pjesshme lokale për 6 bashkitë e vendit. Zëdhënësja e PD-së, Ina Zhupa këtë të enjte ka akuzuar kryeministrin Edi Rama, duke thënë se nuk është ndarë kurrë nga Tom Doshi edhe pse SHBA e ka shpallur non-grata. Sipas saj, ata janë bashkë dhe Doshi komandon socialistët në Shkodër dhe emëron të inkriminuar për të blerë e vjedhur vota për Ramën.

Deklarata e plotë 

Edi Rama nuk qeveris dot pa non grata e njerëz të inkriminuar. Ai punon, blen e vjedh vota në koalicion me parti non gratash duke sfiduar hapur vendimet e SHBA-së. Bashkëqeverisja me Tom Doshin në Shkodër e jo vetëm, është prova më e madhe për këtë. Edi Rama ia ka dorëzuar pa kushte Shkoderën partisë Non Grata, madje edhe kandidaten për bashkinë ia ka përzgjedhur i padëshiruari i SHBA, Tom Doshi.

Doshi ka frenat e krejt qeverisjes së Shkodrës, duke emëruar njerëz të inkriminuar që të blejë e të rrëmbejë vota për Ramën. Ndërkohë që socialistët e ndershëm duhet vetëm të nënshtrohen përballë pushtetit të non gratave. Rifreskimi i pazarit Rama-Doshi në rezidenca qeveritare me takime kokë më kokë, reflektohet në emërimet dhe shkarkimet e zyrtarëve të Shkodrës, siç është rasti i kryeinspektorit të ndërtimit, për Veriun, Serdar Hoxha. Ndërsa konfirmon pikërisht atë që vetë Doshi e thotë me zë e figurë: emërimin prej tij të kandidates për bashkinë.

Me pak fjalë, Tom Doshi, vendos për gjithçka në Shkodër në emër të Edi Ramës. Ata janë bashkë dhe të pandarë. Edi Rama mashtroi Amerikën kur tha se nuk do të përfshinte në qeverisje, partinë non grata të Doshit, ndërkohë që me të ndan çdo qelizë qeverisje në Shkodër e Tiranë. Rama dhe Doshi janë një. Të vetmit të humbur janë socialistët e ndershëm shkodranë, të cilët nëpërkëmbën nga pazari Rama-non grata, e detyrohen të pranojnë të inkriminuarit në kurriz.

Aleanca e Ramës me Doshin, pas shpalljes së tij non grata nga SHBA, ka qenë e pandalshme. Ai ka përfituar miliona euro nga qeveria, para të cilat janë hedhur për blerjen e votave njësoj si me 25 prill. Tom Doshi është sot Edi Rama. Vota e socialistëve përdoret për pushtetin e partisë non gratësa.

Por shkodranët në 6 mars do të vendosin nëse do ta lënë bashkinë në administrim të TOM DOSHIT, apo do të refuzojnë non gratat. Demokratët në 6 mars do të vendosin nëse do ta kenë bashkinë në administrim të LSI dhe Ilir Metes që ta përdorë për hallet e tij. Zgjedhja s’ka qenë kurrë më e qartë: Kandidatët e Doshit e Meta-Berishës apo birin e tyre Xhemal Bushatin! Partinë e non-gratave, apo Partine Demokratike të Shqipërisë! Aleancën me SHBA, apo aleancën e non gratave? Përgjigja nuk ka qenë kurrë më e thjeshtë…

SHKARKO APP