Zgjedhjet vendore, Gjiknuri rikonfirmon Rakip Sulin në Kamëz: Vjen me një bagazh arritjesh
Kamza ishte ndalesa e radhës për përzgjedhjen e drejtuesve të rinj vendor në 61 bashkitë e vendit. Dy kandidatet e përzgjedhura për fazën finale, Migena Qerimi dhe Rebeka Sulejmani, paraqitën para Asamblesë së Zgjeruar të Bashkisë Kamëz platformat e tyre të kandidimit. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri deklaroi se ky proces është një gur kilometrik në rigjallërimin e PS.
“Çdo parti kur rri gjatë në pushtet aq më tepër përpara zgjedhjeve vendore, ka nevojë për një shkundje, rigjallërimin për t’u përgatitur për sfidat që na presin. Sfidat nuk janë të lehta, sepse kemi zgjedhjet vendore. Zgjedhjet vendore pavarësisht se PS patjetër është e avantazhuar për gjithë ato gjëra të mira që ka bërë, edhe për çka ka treguar në shumë palë zgjedhje në Shqipëri, gjithsesi zgjedhjet vendore këtu në Kamëz, do të jenë një sfidë e vërtetë. Jam I bindur që Rakipi me punën e mirë të tij që ka bërë dhe unë e them paraprakisht që ai do të jetë një nga njerëzit që do të ketë një sfidë të fortë, por vjen me një bagazh arritjesh”, tha Gjiknuri.
Ai shprehu bindjen se PS do të arrijë të marrë sërish një rezultat pozitiv në zgjedhjet e ardhshme vendore. Ai nënvizoi edhe se synimi i PS është kthimi i saj në një laborator idesh për përmirësimin e qeverisjes qëndrore dhe atyre vendore.
”Pavarësisht kandidatit tonë shumë të mirë, ne na duhet dhe një parti e fortë. Dhe parti e fortë në themel të saj ka dhe këtë proces kaq të rëndësishëm që është zgjedhja e kryetarit të PS, që do të jetë krah për kryetarin e bashkisë, por dhe me të gjithë të deleguarit e tjerë me qëllim që Kamza të marrë një rezultat shumë të mirë në zgjedhje”.