Zgjedhjet vendore në prag, bashkitë zhyten në borxhe
Bashkitë kanë shtuar borxhet në prag të zgjedhjeve të planifikuara vendore të 30 qershorit. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, stoku i detyrimeve të prapambetura të 61 bashkive arriti në 7.1 miliardë lekë në fund të muajit mars. Kjo përbën një rritje prej rreth 400 milionë lekësh krahasuar me fundin e vitit të kaluar.
Gjysma e këtij borxhi i takon pagesave të pakryera për investimet e pushtetit vendor, thënë ndryshe janë detyrime drejt bizneseve që kanë kryer punimet. Rreth 20.4% e borxhit i takojnë tenderimeve të papaguara për mallra dhe shërbime, ndërsa ajo që është më shqetësuese është fakti se 17.4% e detyrimeve i takojnë vendimeve gjyqësore.
Largimet e padrejta nga puna në bashki apo në ndërmarrjet e drejtuara nga bashkitë, i kushtojnë xhepave të qytetarëve plot 1.2 miliardë lekë. Likuidimi i plotë i detyrimeve pritet të zgjasë të paktën disa vite për pjesën më të madhe njësive të qeverisjes vendore, ndërsa do të jetë më i vështirë për ato bashki që mbledhin më pak të ardhura nga burimet e veta. Kjo situatë me rritjen e detyrimeve mund të ketë qenë një nga faktorët që ka shtyrë qeverinë të bllokojë përkohësisht tenderimet para zgjedhjeve.
KOHA JONË SONDAZH

