Zgjedhjet, Yuri Kim: Qeveria përgjegjësi t’i përgjigjet shqetësimeve që janë shprehur nga ODIHR-i

Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim në një intervistë për Zërin e Amerikës”, ndër të tjera, tha edhe se është përgjegjësia e qeverisë dhe e udhëheqësve politikë, që të sigurohen për të kuptuar dhe për t’u përgjigjur shqetësimeve që janë shprehur nga ODIHR-i në lidhje me zgjedhjet e kaluara. Pritshmëritë e Uashingtonit, tha ambasadorja Kim, janë që Shqipëria do të bëjë më të mirën që të sigurojë që zgjedhjet të zhvillohen në përputhje me standardet dhe normat ndërkombëtare.

Zëri i Amerikës: Një tjetër fakt, që e përmend ODIHR-i dhe që ricitohet në raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit është ai i “avantazheve të rëndësishme që Partia qeverisëse përfitoi nga të qenit në pushtet, përfshirë edhe përmes kontrollit të administratave lokale dhe shpërdorimit të burimeve administrative”. Çfarë garancish mund të kenë kundërshtarët e saj se kjo nuk do të përsëritet, aq më tepër që në 4 vitet e fundit, socialistët kanë kontrolluar të gjithë pushtetin vendor?

Yuri Kim, Ambasadore e SHBA: Është përgjegjësia e qeverisë dhe e udhëheqësve politikë, që të sigurohen për të kuptuar dhe për t’iu përgjigjur shqetësimeve që janë shprehur nga ODIHR-i. Pozicioni i Shteteve të Bashkuara gjithmone ka qenë shumë i qartë për këtë. Sigurisht, do të vazhdojmë të punojmë me të gjitha autoritetet, me udhëheqësit dhe anëtarët e partive politike, që të përpiqemi për të bërë më të mirën për të mbështetur zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Megjithatë, kjo është përgjegjësi e qeverisë shqiptare dhe udhëheqësve politikë shqiptarë. Është shumë e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara të Amerikës që udhëheqësit politikë, të partive politike të marrin seriozisht përgjegjësitë e tyre për të ndjekur rregullat dhe kjo përfshin edhe krijimin e listave dhe ofrimin e kandidatëve me integritet. Populli shqiptar meriton kandidatë të pastër. Duam të shohim që me çdo zgjedhje, lista e kandidatëve të bëhet gjithnjë e më e pastër.

SHKARKO APP