“Zgjedhorja”/ Tenderimi me procedurë të përshpejtuar i teknologjisë, Hasa: PS kërkon ta pengojë
Çështja e identifikimit elektronik të votuesve në zgjedhjet e ardhshme parlamentare ishte dakordësia më e madhe që mazhoranca dhe opozita arritën në tryezën e Këshillit Politik.
Në pikën 1 të kësaj marrëveshjeje, palët u zotuan të bëjnë gjithçka për të mundësuar 100% identifikimin elektronik të zgjedhësve. Por Partia Demokratike ka kërkuar që procesi të mos ngelet peng i procedurave, duke propozuar në mbledhjen e Këshillit që procedurat e tenderimit të teknologjisë në zgjedhje të kalojnë më procedurë të përshpejtuar.
Hartuesi i draftit të demokratëve për teknologjinë, Endri Hasa në një intervistë për “ABC News” kujton se kërkesa e demokratëve nuk ka element të ri por është e njëjtë me procedurat e përdorura në vitin 2013 kur u pilotua teknologjia.
“Ndaj është kërkuar edhe garancia për financimin dhe garancia për siguritë e tjera. Nga nja anë mund të jepet politikisht dhe nga tjetër mund të mos realizohet kurrë dhe mund të mundohet mazhoranca të fusë shkopinj në rrota”, u shpreh Hasa.
Për Hasën në kushtet e një mungese besimi mes palëve, duhet që kuadri ligjor në zgjedhjet e ardhshme të jetë i plotë.
“Nuk ka asnjë kërkesë të re në këtë drejtim. Ka pasur eksperiencë edhe në vitin 2013 ku është provuar të bëhet implementimi i teknologjisë në dy projekte pilote. Janë përdorur të gjitha hapësirat ligjore për të përdorur procedurat që lejon ligji në mënyrë që të mos ketë asnjë vonesë procedurale gjatë implementimit të projektit. Me rëndësi është që ne të përfshijmë gjërat në këtë fazë në Kodin Elektoral, që të mos lëmë shkas për abuzime”, tha më tej ai.
Lidhur me këtë kërkesë të demokratëve, bashkëkryetari i Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri i është drejtuar me një kërkesë për marrje opinioni nga Agjencisë së Prokurimit Publik. /abcnews.al