Zgjerimi i Greqinë, Andoni: Shqipëria të respektojë sovranitetin. 3 koncepte që i mbivendosen njëra-tjetrës
Greqia pas marrëveshjeve me Egjiptin dhe Italinë, kërkon diçka të tillë edhe me Shqipërinë dhe Turqinë. Specifikat në këtë rast janë të ndryshme dhe analisti Ben Andoni, nga ana tjetër thotë se për këtë situatë janë 3 koncepte që i mbivendosen njëra-tjetrës.
”Kemi 3 koncepte që i mbivendosen njëra-tjetrës. Deti territorial, shelfi kontinental dhe zonat ekonomike. Ishujt grekë nuk përmbajnë këto parametra dhe i gjithë problemi grek është njohja e ishujve si shelfe kontinentale, ndërkohë që ishujt me hapësirë jo të madhe dhe me jetë ekonomike të ulët si ato përballë Himarës kanë specifika të tjera dhe përparësia i jepet gjithmonë shelfit kontinental, Himarës, Sarandës etj”.
Sipas tij ”është e pamundur në logjikën e të drejtës ndërkombëtare që grekët të pretendojnë për Shqipërinë dhe Turqinë parimin e 12 miljeve” dhe jo normale përmendja e marrëveshjeve me Italinë dhe Egjiptin, nga momenti që ishujt grekë janë larg nga këto vende. Arsyeja e vërtetë e këtij aktivizmi grek vjen nga rezervat e mëdha të gazit në Egjeun lindor.
Sipas analistit, çështja do të shkojë në Gjykata të ndryshme sipas prevalencës të qasjes mes vendeve. ”Në qoftë se problemet do të jenë kryesisht diplomatike, do shkohet në Gjykatën e Hagës, në qoftë se janë probleme të mirëfillta teknike do të shkojë në Gjykatën Ndërkombëtare të arbitrazhit të problemeve detare, në Hamburg”. Për Andonin, është e rëndësishme që Shqipëria të respektojë sovranitetin e saj.