Zgjohuni kolonjarë!

Nga Kastriot Frashëri*

Të dielën, më datë 20 nëntor 2016, zgjedhësit kolonjarë do t’u drejtohen përsëri kutive të votimit për të zgjedhur kreun e ri të Bashkisë Kolonjë, të mbetur vakant, pas ndarjes nga jeta në mënyrë të papritur si pasojë e një ataku kardiak të të ndjerit Arben Malo. Në garë për këtë post janë: z. Dritan Hajro, kandidat i opozitës, i propozuar nga Partia Agrare Ambientaliste dhe i mbështetur nga Partia Demokratike, ndërsa koalicioni i majtë qeverisës, Aleanca për Shqipërinë Europiane, në fakt nga Partia Socialiste, pasi LSI refuzoi publikisht të propozonte një kandidat për të zëvendësuar ish-kryebashkiakun e saj, përfaqësohet me z. Ilia Stefo. Për fat të keq, përgjatë këtyre 25-vjetëve, banorët e Kolonjës nuk kanë pasur problem vetëm mungesën e vëmendjes nga qeveria qendrore, por edhe nga media. Duke parë situatën e rëndë ekonomike, mungesën e investimeve, punësimin dhe braktisjen tërësisht nga shteti, me të cilën po përballen çdo ditë e më tej, qytetarët e Kolonjës, pavarësisht faktit nëse janë të majtë apo të djathtë, ka ardhur koha  të reflektojnë. Por ndryshe nga “sukseset”, që të dërguarit e qeverisë po u numërojnë përditë asaj pjese të kolonjarëve të dehur nga mirëqenia që u paskan ofruar, të cilëve nuk u mbetet gjë tjetër përveçse të shkojnë në rresht e të shkundin votën, ashtu siç kanë bërë me devocion dhe verbëri, këto 25-vjet në shërbim të partisë, duke tejkaluar çdo parashikim, pasi për ata që nuk e dinë PS është në krye të qeverisjes vendore në Ersekë prej 1990 e deri më sot, po u drejtohem me fjalët e Albert Einstein: “Çmenduri, të bësh të njëjtën gjë përsëri e përsëri dhe të presësh rezultate të ndryshme”.

Si pjesë e komunitetit kolonjar, dhe në raport me të sikundër më njohin si një prej përfaqësuesve më të njohur të saj, brenda dhe jashtë vendit, siguroj që nuk kam asnjë interes pasi kam mbi 22 vjet që jam larguar, por jam përpjekur prej mëse dy dekadash të ndihmoj çdo kolonjar për problemin që më ka adresuar. Jam shumë i prekur nga ky realitet i hidhur, pasi çdo vit e më tepër kam ndjerë dhe ndjej në sytë e atyre që takoj çdo ditë, jo vetëm mjerimin e tyre, por edhe kërkesën për t`i ndihmuar e për t’u larguar me çdo çmim nga kjo gjendje e pamerituar. Ndaj mendoj se nuk ka motiv më të madh për çdokënd për të kontribuar brenda mundësisë në emër të humanizmit, dashurisë për vendin e tij, për ndryshimin e këtij realiteti, sepse ashtu si na mëson Machiavelli “atje ku gatishmëria është e madhe, vështirësitë nuk mund të jenë të mëdha”. Çdo komb ka të drejtë të kërkojë dhe të marrë atë që ka mbjellë nga frytet e bijve dhe bijave të tij. Kjo e drejtë i përket edhe truallit kolonjar, sepse siç thoshte bilbili i kombit, Naim Frashëri, “djemtë e tij i ka rritur me thërrime dhe me lot”. Ndaj të gjithë intelektualët kanë një detyrë të shenjtë kundrejt këtyre viseve të bukura, të japin për nënën e tyre, e ta bëjnë atë një Zonjë të Madhe në këtë vend të bekuar Europian.

Ne e kemi bërë zgjedhjen

Kam mendimin se kolonjarët nuk duhet ta humbin këtë shans dhe nuk mund të tradhtojnë ata që pa asnjë interes kanë marrë përsipër një mision fisnik për të mos e lënë më tej Kolonjën, vatrën e tyre të braktisur zyrtarisht nga pushteti, por të ngrihen me forcë dhe vendosmëri më datën 20 nëntor mbi interesat e tyre partiake, duke votuar z. Dritan Hajro, kandidatin e dalë dhe të mbështetur fuqimisht nga shpirti, zemra dhe elita e tyre përfaqësuese, brenda dhe jashtë Kolonjës, dhe jo me marifete të gatuara keqazi në kuzhinat e Korçës, apo të pazareve të “Rilindjes” në Tiranë, në dëm të zhvillimit perspektiv të Kolonjës. Në fjalën e tij, gjatë prezantimit të kandidatit të tij në Ersekë, kreu i qeverisë, Rama tha se, “mjeku Ilia Stefo është njeriu i duhur për të vazhduar në drejtimin e duhur dhe për të ecur së bashku në transformimin rrënjësor të kësaj bashkie, dhe për të bërë më shumë se sa është bërë në 20 vite të marra së bashku”. Por faktet tregojnë ndryshe nga ajo çfarë deklaron kryeministri. Bashkisë Kolonjë nuk i është dhënë asnjë fond apo investim serioz nga qeveria e tij gjatë këtij mandati qeverisës. Prej 3 vjetësh, zv/kryeministri Niko Peleshi, i cili këtë muaj ka vendosur të ketë rezidencën e tij në Ersekë, si ex officio, nga ku dirigjon kuartetin zgjedhor të veshur me kostume firmato të qeverisë për të shtënë në dorë dhe kontrolluar një nga njësitë më të varfra administrative në Juglindje të vendit, është përgjegjës për Qarkun e Korçës, por që rezulton se të gjitha fondet apo grantet e investimeve i ka transferuar vetëm në zonën e tij elektorale në qytetin e Korçës. Nisur nga këto fakte a mundet vallë që zgjedhësit kolonjarë të besojnë tek personat e gabuar që kanë dhënë prova të njëanshmërisë, duke mbrojtur interesat e zonës së tyre, dhe tani guxojnë haptazi në zemër të Ersekës të zmadhojnë interesat e tyre personale në kurriz të zhvillimit të Kolonjës? Jetesën e bëjmë nga ato që marrim, jetën e bëjmë nga ato që japim – na vjen përsëri në ndihmë, Ëinston Churchill. Por pavarësisht faktit se kush e drejton sot fushatën e maxhorancës qeverisëse, gjeografikisht dhe në syrin e interesit kombëtar, Kolonja mbetet e rëndësishme për Shqipërinë si djepi i Rilindjes Kombëtare dhe si e tillë ne bijtë e saj, kudo që jemi, nuk mund ta lëmë më atë të tretet nën mjerimin e diktuar nga padrinot e këtij vendi të keq-qeverisur.

Për fat, ka një alternativë tjetër zgjedhjeje që, falë njeriut të mirë, punëtor dhe zemërbardhë, z. Agron Duka dhe partisë së tij PAA që drejton, i cili i’u përgjigj pozitivisht dëshirave të një numri të madh kolonjarësh për ta ndihmuar këtë zonë në ringjalljen ekonomike, duhet mbështetur nga të gjithë zgjedhësit kolonjarë, dhe ky është Tani, (Dritan Hajro), biri juaj, i cili me energjinë e rinisë së tij, me mirësinë, me fjalën dhe me mbështetjen e gjerë që gëzon, jo vetëm në komunitetin e biznesit, por edhe në mbarë komunitetin që jeton brenda dhe jashtë Kolonjës, kam besimin se do t’i japë një dimension të ri zhvillimit të ekonomisë, jetës social-kulturore në territorin e Bashkisë, që, falë jush, të nderuar bashkëkolonjarë, do të ketë mundësinë të drejtojë! Kjo është Ora e Kolonjarëve për ndryshim!

Ndryshe nga rivali i tij Ilia Stefo, i cili është përzgjedhur vetëm për të mbyllur llogaritë e hapura të pseudo-rilindjes në Ersekë gjatë këtij mandati qeverisës, zoti Dritan Hajro është parë prej të gjithëve si një projekt afatgjatë zhvillimi për Kolonjën, pasi përmes tij synohet të realizohen një sërë projektesh në fushën e investimeve bazike në përputhje me orientimin Agro-Turistik të rajonit. Nisur nga respekti për njëri-tjetrin, në një takim mes miqsh të organizuar nga biznesmeni i mirënjohur kolonjar, z. Muhamet Malo në malin e Dajtit dy muaj më parë, më 10 shtator 2016, u vendos që të kontribuojmë të gjithë brenda fushës së aktivitetit dhe njohjeve tona për të zhvilluar Kolonjën, djepin e Rilindjes Kombëtare, e cila sot lëngon e braktisur dhe e pa shpresë në shtratin e mjerimit.  Falë këtij interesimi dhe koordinimi të përbashkët, është arritur të sigurohen ato projekte prioritare për të cilat ka më shumë nevojë kjo Bashki, të cilat janë: zgjidhja përfundimtare e furnizimit me ujë të pijshëm i qytetit Ersekë; ndërtimi i një linje industriale me kapital tërësisht privat për përpunimin e futa-perimeve; ndërtimi i një linje tjetër industriale tërësisht me kapital privat për përpunimin e produkteve blegtorale; zhvillimi i sektorit të Agro-Turizmit, Eko-Turizmit, pylltarisë, vreshtarisë dhe bimëve medicinale, ku vend të veçantë do t’i kushtohet edhe zhvillimit të turizmit familjar në mungesë të kapaciteteve hoteliere, pasi është siguruar futja e qytetit të Ersekës në axhendat e turizmit.

Nisur nga këto avantazhe, zgjedhësit kolonjarë, tashmë kanë një mundësi më shumë për të mbështetur masivisht z. Dritan Hajro, si birin e tyre po aq bashkëvuajtës, për të përkthyer në favor të tyre interesat jetike të nëpërkëmbura nga qeverisja kleptokratike e këtyre viteve. Dëshiroj të theksoj përmes këtij mesazhi, se rrallë herë ndodh në këtë vend që punës t’i gjendet njeriu i duhur. Partia Agrare Ambientaliste pas kërkesave të mësipërme me dashamirësi ka pranuar këtë rast për t’i kërkuar mbështetjen e saj opozitës në  mbështetjen e kandidatit të saj si opsioni më i mirë për Kolonjën dhe të ardhmen e zhvillimit të këtij rajoni. Dhe nuk kanë gabuar, pasi, në dijeninë time, kandidati Hajro, mbart vetitë më të mira të kolonjarit, qetësinë, mençurinë, mirësinë dhe fjalën e dhënë. Unë besoj me vendosmëri si në fjalët e sinqerta të kandidatit Hajro, i cili në prezantimin e tij theksoi “Këto janë zgjedhje administrative, nuk janë zgjedhje politike. Unë do të jem kryetari i Bashkisë për të gjithë qytetarët e Kolonjës pa dallim bindjeje politike. Do të jemi bashkë me qytetarët për të zgjidhur hallet dhe problemet e tyre”, po ashtu edhe në deklarimet e z. Duka, i cili premton një qeverisje ndryshe në Bashkinë Kolonjë përmes vënies në praktikë të partneritetit Publik-Privat, i cili synon të hapë 350 vende pune deri në fund të këtij mandati.

Do të doja në emër të gjithë kolonjarëve dhe miqve tanë t’Ju ftoj të gjithëve që në këto zgjedhje të kontribuojmë për zhvillimin e Kolonjës, të harruar nga pushtetmbajtësit dhe, hapi i parë për të përjashtuar gjërat e padëshiruara nga jeta – ka thënë Ben Stein – është: Vendos çfarë do! Ndaj, të dashur kolonjarë, që të mos humbni nesër gjithçka të ofruar me dashuri për nënën tonë të përbashkët, koha është për ndryshim!

* Studiues, publicist, jurist dhe aktivist i mirënjohur i Shoqërisë Civile

SHKARKO APP