“Zhbllokohet” aeroporti i Kukësit – Kontrata me vlerë 175 milionë lekë, tërhiqet ankesa për mbikëqyrjen e PPP-së
Kompania “Illyrian Consulting Engineers” është tërhequr nga ankesa e saj për tenderin 175 mln lekë të mbikëqyrjes së zbatimit të kontratës së partneritetit Publik Privat të Aeroportit Kukësit. Procedura e prokurimit publik u hap në fund të muajit tetor, por kjo kompani kërkoi modifikimin e dokumenteve të tenderit, duke ankimuar procedurën pranë Komisionit të Prokurimit Publik.
Ndërkaq, në Vendimin e KPP-së nuk bëhen me dije arsyet e tërheqjes, ndërsa theksohet se tashmë Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë mund të vijojë hapat e mëtejshëm të procedurës tenderuese. Referuar dokumenteve gjatë shpalljes së garës, mbikëqyrësi do të ketë për detyrë të bëjë verifikimin e të gjithë dokumentacionit përkatës, të licencave, të autorizimeve dhe të lejeve, të cilat sipas dispozitave në fuqi duhet të merren para fillimit të punimeve.
Po ashtu, ai duhet të bëjë verifikimin e sheshit të ndërtimit nëse është i lirë dhe i gatshëm për të filluar punimet, si dhe të njihet mirë me kontratën e sipërmarrësit dhe të gjitha akteve administrative që lidhen me të si dhe të njohë të gjitha ndryshimet e mundshme të kësaj kontrate me kalimin e kohës. Aeroporti i Kukësit iu është dorëzuar autoriteteve shqiptare në vitin 2006, por që prej asaj kohe kohe nga ky aeroport nuk është realizuar asnjë fluturim.
Me qëllim vënin në funksion të tij, qeveria firmosi një kontratë koncesioni 35-vjeçare me bashkimin operatorëve Global Technical Mechanics shpk dhe Bami shpk përmes të cilës parashikohet investimi i 8 mln eurove. Kontrata u nënshkruan në mars të këtij viti, ndërkohë që afati i përfundimit të punimeve është 24 muaj. /Scan