Zhduken nga bankat 4.5 mln euro, që CEZ i kaloi Kastriot Ismailajt

Pesë mln euro, që kompania CEZ-shpërndarja ka kaluar në llogarit bankare të Kastriot Ismailajt, njëherazi pronar i kompanisë Debt International Advisory, janë zhdukur.

Prokuroria e kryeqytetit, bazuar në shkresat e bankave të nivelit të dytë në vend, ka mësuar se shuma prej 4.5 mln euro që kompania DIA ka përfituar nga CEZ-shpërndarja brenda një afati 1 vjeçar, nuk gjenden gjëkundi.

Pas hetimeve, një pjesë nga kjo shumë e madhe parash, dyshohet se është tërhequr cash nga i dyshuari Ismailaj në Shqipëri dhe pjesa tjetër është transferuar në llogarit bankare të kompanisë në vende të njohura si “parajsa fiskale”.

Hetuesit thonë se nuk dihet konkretisht se kush janë përfituesit e këtyre shumave që janë transferuar jashtë Shqipërisë. Ndërsa për parat e tërhequra cash nga Ismailaj, ky i fundit i ka justifikuar si investime të kryera dhe pagesa për studime fizibiliteti në projekte minierash, për shërbime ligjore, për shpenzime zyre, konsulenca, shpenzime udhëtimesh, pagesa dhe numra telefoni. Për hetuesit ky arsyetim i Kastriot Ismailajt nuk justifikon shumën e përfituar nga kompania çeke Cez shpërndarja.

Nga ana tjetër burimet thonë se parat e sekuestruara në Shqipëri që kapin shifrën e 5 mln eurove, dhe që janë gjetur në llogarit bankare e të dyshuarit e kompanisë së tij DIA janë parat e një shtetase amerikane, të cilën ka arritur ta mashtroi i dyshuari Kastriot Ismailaj.

Sipas hetuesve, rezulton se shuma e sekuestruar prej 5 mln euro, është pjesë e një transaksioni prej 12 mln euro që kanë ardhur në Shqipëri në llogarit e të dyshuarit dhe kompanisë së tij. Mësohet se pjesa më e madhe e këtyre parave janë dërguar nga tre kompani me seli në SHBA dhe Zvicër.

Si pasojë e këtyre transaksioneve, rezulton se rreth 7 mln dollarë janë kthyer përsëri në emër të personave dhe kompanive të ndryshme në vende që njihen edhe si parajsa fiskale. Ndërsa pjesa e tjetër, mendohet se kanë mbetur në llogarit bankare të kompanive të Ismailaj, që tashmë janë sekuestruar.

SHKARKO APP